Live From Tirana

Burg për parkimin e dyfishtë, eksperti Faik Basha: Ja si do të funksionojë ky ligj…

I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë eksperti i sigurisë rrugore, Faik Basha. Ai ka folur më shumë për rregullin e ri të vendosur nga policia, ku shoferët e automjeteve do të dënohen me deri 3 vite burg në rast parkimi të dyfishtë. Si e komenton ai këtë?

Si do të funksionojë ky ligj? A do të ktë tolerime për ata që kanë emergjenca familjare apo shëndetësore?

Është një problem që do të haset në zbatimin e këtij neni, sepse në radhë të parë ne duhet të trajnojmë kërkuesit e llogarisë, që janë punonjësit e policisë, të cilët duhet ta dinë qartë se si zbatohet ky nen. Po e lidh edhe me shtetet e Bashkimit Europian, ku ne po mundohemi të aderojmë dhe i kemi shanset që ndoshta në 2023 të jemi në Bashkimin Europian. Dhe për të qenë pjesë e Bashkimit Europian, liria pa kufi nuk është normale, sepse do të thotë që ke marrë nga liria e tjetrit. Besoj që duhet trajnuar punonjësit e policisë në radhë të parë. Shtetet e Bashkimit Europian, Franca, Gjermania, Italia, por edhe Anglia, e ka këtë nen, e ka këtë dënim, ku fillon me gjobë maksimale, me ulje pikë në patentë, heqjen e patentës dhe nëse fillon të jesh përsëristës, atëherë shkon në ndjekje penale, që varion nga 1 deri në 3 vite. Kështu që vendet e Bashkimit Europian e kanë këtë ligj, ku askush nuk mund të bëhet pengesë për qarkullimin e mjeteve, siç janë zjarrfikëset, siç janë ambulancat, apo qytetarët që kërkojnë të kenë akses të lirë në një rrugë për të kryer nevojat e tyre. Ky nen do të zbatohet duke i këshilluar në radhë të parë qytetarët që të mos ta bëjnë këtë shkelje, duke gjobitur qytetarin që vazhdon ta përsërisë, sigurisht do të jetë dhe masa e heqjes së patentës, siç është parashikuar në kodin rrugor, që në fillim të ulen pikët pastaj të detyron që të bësh kursin nga e para. Dhe nëse përsëriten, atëherë do të shkojë në ndjekje penale.