Tech Top Tech - News

Çfarë duhet të dimë për GTA6?! Mateo Kadriu na zbulon gjithçka…

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Çfarë duhet të dimë për GTA6?!

Rockstar sapo hodhi bombën: GTA 6 vjen më 26 maj 2026. Po, e dëgjuat mirë – një vit më vonë se sa pritej. Por hej, çfarë janë edhe 365 ditë pritje kur kemi pritur që nga viti 2013? Loja do të na çojë në Leonida, një shtet imagjinar i frymëzuar nga Florida, ku do të ndjekim aventurat e dy protagonistëve: Lucia dhe Jason. Një Bonnie dhe Clyde modern, por me më shumë tatuazhe dhe më pak moral.

Rockstar premton një map më të madh dhe më të gjallë se kurrë më parë. Nga plazhet me rërë të bardhë deri te moçalet e rrezikshme, do të kemi gjithçka. Dhe po, edhe teknologji të reja si ‘beer physics’ – sepse kush nuk do të dijë si lëviz birra në një gotë virtuale?

GTA 6 do të jetë i disponueshëm për PS5 dhe Xbox Series X/S. Për përdoruesit e PC-së, na vjen keq, por do të duhet të prisni pak më gjatë – si zakonisht. Pra, përgatituni për një aventurë të re në botën e krimit, ku çdo kthesë sjell një surprizë dhe çdo mision është një histori më vete. Dhe mos harroni – në Leonida, dielli shkëlqen, por krimi nuk fle kurrë!