Këngëtarja e famshme Billie Eilish, është e njohur për opinionet e saj të sinqerta dhe ndonjëherë edhe pa e vrarë mendjen se çfarë mund të mendojnë personat e tjerë. Së fundmi ajo ka reaguar tejet e revoltuar për disa të famshëm që po krijojnë standarte bukurie jo të vërteta dhe që mohojnë se kanë kryer operacione plastike.
Kënga më e re e artistes, e titulluar “OverHeated”, i kushtohet problemeve me bullizmin ndaj peshës trupore dhe u adresohet disa të famshmëve se kanë “trupa plastikë’. Në një pjesë të këngës, ajo thotë:
Nuk është puna ime, por a nuk lodheni duke pozuar për fotografi me atë trup plastik?
Në një intervistë për “The Guardian”, këngëtarja foli më me detaje për qëndrimin e saj. Ajo tha:
“OverHeated” është për të gjithë ata njerëz që promovojnë standarte trupore të pavërteta. Nuk ka asnjë të keqe të bëni operacione plastike, bëni atë që ju bën të lumtur. Thjesht problemi qëndron kur e mohoni dhe thoni: “Kjo jam e gjitha unë, natyrale dhe nëse edhe ju do të përpiqeshit më shumë do të ishit si unë”. Kjo më inatos pafund. Është diçka shumë e keqe për të rinjtë kur shohin këtë gjë.
Billie gjithashtu shpjegoi se si rrjetet sociale mund të ekzagjërojnë këto standarte false.
Shikoj njerëz në rrjete sociale që duken ashtu si unë nuk dukem kurrë. Dhe menjëherë pyes veten se si duken ato në atë mënyrë. E di që këto janë të domosdoshme në këtë industri, gjithashtu e di se çfarë përdorin në foto për t’u dukur perfektë dhe unë e kuptoj se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo. Gjithsesi kjo më bën të ndjehem shumë keq.
Rikujtojmë se, Billie Eilish do të jetë një nga yjet që do të drejtojë eventin madhështor të “Met Gala” që do të mbahet më 13 Shtator pas një viti shtyje për shkak të pandemisë.