Këngëtarja e njohur Billie Eilish duket se po zgjeron karrierën e saj artistike edhe në botën e aktrimit. Artistja 24-vjeçare pritet të jetë pjesë e adaptimit filmik të romanit të famshëm “The Bell Jar” të autores Sylvia Plath, i publikuar për herë të parë në vitin 1963. Filmi do të drejtohet nga regjisorja Sarah Polley, ndërsa produksioni do të realizohet nga kompania Focus Features. Ky projekt pritet të shënojë debutimin e parë të Billie Eilish në një rol kinematografik. Megjithëse do të jetë hera e parë që shfaqet si aktore në një film artistik, Eilish nuk është e panjohur për industrinë e kinemasë.
Ajo ka fituar dy çmime Oscar, falë këngëve që ka bashkë-shkruar me vëllain dhe producentin e saj Finneas për filmat “No Time to Die” (2021) dhe “Barbie” (2023). Romani “The Bell Jar”, i cili është edhe i vetmi libër që Sylvia Plath publikoi gjatë jetës së saj, rrëfen historinë e një vajze të re dhe shumë të talentuar që përballet me sfida të mëdha të shëndetit mendor, ndërsa përpiqet të gjejë vendin e saj në shoqëri.
Sipas raportimeve, Billie Eilish pritet të interpretojë rolin e Esther Greenwood, personazhi kryesor i historisë. Personazhi përjeton një krizë të thellë emocionale pasi nis të punojë në një revistë në New York, duke u përballur me presionin e jetës profesionale dhe pritshmëritë e shoqërisë.
Ndërkaq, Eilish mendon se miliarderët duhet të bëjnë më shumë. Fituesja 23-vjeçare e çmimeve Grammy pranoi Çmimin e Inovatores Muzikore në “WSJ. Magazine Innovator Awards” më 29 tetor dhe e shfrytëzoi mundësinë për të shprehur mendimin e saj gjatë fjalimit të pranimit. “Jemi në një kohë tani kur bota është vërtet, vërtet keq dhe shumë e errët dhe njerëzit kanë nevojë për empati dhe ndihmë më shumë se kurrë më parë, sidomos në vendin tonë. Do të thoja, nëse ke para, do të ishte shumë mirë t’i përdorje për gjëra të mira, ndoshta t’ia jepje disa njerëzve që kanë nevojë për to”.