Gossip Showbiz

Ndërron jetë “stalkeri” i Billie Eilish pasi u godit nga…

Një ngjarje tragjike është raportuar në SHBA, ku një person me histori përndjekjeje ndaj këngëtares Billie Eilish ka humbur jetën pasi u godit nga një tren në Long Island.

Prenell Rousseau, 30 vjeç, nga Farmingdale, u përplas nga një tren i linjës Long Island Rail Road në zonën e Westbury rreth orës 5:38 të mëngjesit të së mërkurës.

Sipas autoriteteve lokale, ai ndodhej pranë shinave duke vrapuar në momentin e incidentit, ndërsa rasti po trajtohet si aksidental.

Rousseau u bë i njohur publikisht në vitin 2020, kur u paraqit disa herë në banesën e këngëtares në Los Angeles. Sjellja e tij u cilësua si e paqëndrueshme dhe shqetësuese, çka bëri që familja e artistes të kërkonte urdhër mbrojtjeje.

Sipas dokumenteve gjyqësore, ai ishte shfaqur disa herë në shtëpinë e saj gjatë muajit maj të atij viti, duke trokitur në derë dhe duke kërkuar nëse aty jetonte këngëtarja.


Në një rast, babai i saj, Patrick O’Connell, i kishte thënë se kishte adresë të gabuar, por Rousseau ishte rikthyer sërish më vonë gjatë së njëjtës ditë.

Raportohet se në disa momente ai kishte qëndruar në verandë duke lexuar dhe duke folur me vete, duke refuzuar të largohej edhe pas kërkesave të përsëritura. Edhe pas ndërhyrjes së sigurisë private, ai ishte kthyer përsëri pranë banesës, duke rritur shqetësimin e familjes.

Për shkak të këtyre incidenteve, avokatët e Eilish kërkuan një urdhër mbrojtjeje pesëvjeçar, por gjykata vendosi për një periudhë trevjeçare, me mundësi zgjatjeje nëse ai do të tentonte kontakt të mëtejshëm.

Vetë këngëtarja i kishte përshkruar këto përballje si “të frikshme”, duke theksuar ndikimin emocional që kishin pasur tek ajo dhe familja e saj.

Ngjarja e fundit ka rikthyer vëmendjen mbi këtë rast të kaluar, ndërsa autoritetet vijojnë procedurat për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit.