Një numër gjithnjë në rritje i studimeve psikologjike po paralajmërojnë se mënyra sesi shohim trupin tonë po ndikohet më shumë se kurrë nga presioni social, rrjetet sociale dhe standardet e bukurisë, duke sjellë një fenomen që quhet dismorfi trupore.
Ky çrregullim i përshkruar në manualin diagnostik të shëndetit mendor, DSM-5, lidhet me një perceptim të shtrembëruar për pamjen fizike, edhe kur personi nuk ka realisht një defekt të dukshëm.
Sipas Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë, personat që vuajnë nga ky çrregullim fokusohen intensivisht tek një detaj i trupit, i cili për ta është problem shumë më i madh sesa në realitet. Ky fiksim shpesh shoqërohet me ankth, depresion dhe shmangie sociale.
Çfarë e shkakton?
Nuk ka një arsye të vetme, por psikologët theksojnë disa faktorë kombinuar:
• presioni kulturor dhe standardet e bukurisë
• bullizmi dhe komentet për trupin në adoleshencë
• përdorimi i tepruar i rrjeteve sociale
• krahasimi konstant me të tjerët
Dispozita gjenetike dhe faktorët neurobiologjikë gjithashtu mund të kenë rol, sipas disa studimeve klinike të botuara në vitet e fundit.
Ekspertët e shëndetit mendor theksojnë se Instagram, TikTok dhe filtrat dixhitalë kanë krijuar një realitet të deformuar të bukurisë, duke shtuar ndjeshëm kërkesën për ndryshime estetike.
Studime të publikuara në revista psikologjie gjatë viteve të fundit tregojnë se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj imazheve të trupave “të përsosur” rrit rrezikun për pakënaqësi trupore, veçanërisht tek moshat 14-25 vjeç.
Simptomat më të zakonshme?
• kontroll i pasqyrës disa herë në ditë
• kërkim i menjëhershëm për ndërhyrje estetike
• fshehje e trupit me rroba apo grima
• shmangie daljesh, fotove, takimeve sociale
• mendime obsesive rreth një detaji të pamjes
Shpesh, njerëzit nuk kuptojnë që po përballen me dismorfi, pasi simptomat maskohen si dëshirë për “përmirësim estetik” ose “kujdes personal”.
Psikoterapistët paralajmërojnë se, nëse nuk trajtohet, ky çrregullim mund të shoqërohet me depresion të rëndë, ankth, ulje vetëbesimi dhe rrezik për izolim social. Ka raste ku ndjekja obsesive e bukurisë çon në ndërhyrje estetike të përsëritura, të cilat nuk sjellin kënaqësi edhe pas rezultatit.
Si trajtohet?
Forma më efikase e trajtimit sipas specialistëve mbetet terapia njohëse-sjellore, e cila ndihmon personin të ndryshojë mënyrën e të menduarit për trupin dhe të punojë gradualisht me vetë-imazhin. Në raste të caktuara, mjekët psikiatër mund të rekomandojnë edhe trajtim medikamentor.
Shumë psikologë e cilësojnë dismorfinë trupore si një sëmundje të epokës së imazhit, ku standardi i bukurisë nuk vjen më nga natyra, por nga filtrat, aplikacionet dhe tregu i estetikës.
Ne jetojmë në një kohë kur pamja është bërë identitet dhe ky realitet po ndikon drejtpërdrejt tek shëndeti mendor.
Nëse ndjeni se jeni të pakënaqur në mënyrë të vazhdueshme me pamjen fizike, është e rëndësishme të flisni me një specialist. Trajtimi dhe ndërgjegjësimi i hershëm mund të parandalojnë pasoja më të thella emocionale.
Ky fenomen nuk duhet parë vetëm si trend, por si një çështje serioze e shëndetit mendor që prek një pjesë të konsiderueshme të të rinjve sot.