Bota Lifestyle link in bio

Çfarë është pluhuri i kuq/rozë që po hidhet mbi zjarret në Kaliforni?

Ndërsa ekipet luftojnë flakët shkatërruese që po përhapen në Kaliforninë jugore, imazhe të “cisternave” ajrore që lëshojnë pluhur të kuq dhe rozë mbi zonat periferi të Los Anxhelosit kanë bërë xhiron e mediave. Ky pluhur është një substancë rezistente ndaj zjarrit që tashmë ka mbuluar rrugët, çatitë dhe veturat, duke u bërë një pamje e zakonshme në rajon.

Zyrtarët raportuan se mijëra gallonë të këtij retardanti janë hedhur javët e fundit për të frenuar përhapjen e flakëve. Produkti që përdoret për këtë qëllim quhet Phos-Chek, i prodhuar nga kompania Perimeter, dhe është përdorur për të luftuar zjarret në SHBA që nga viti 1963.

Ai është gjithashtu frenuesi kryesor afatgjatë i zjarrit që përdoret nga Departamenti i Pyjeve dhe Mbrojtjes nga Zjarri në Kaliforni dhe konsiderohet si më i përdoruri në botë.

Megjithatë, përdorimi i Phos-Chek ka qenë i diskutueshëm në të kaluarën për pasojat e mundshme në mjedis. Një padi e ngritur në vitin 2022 nga një grup punonjësish të Shërbimit Pyjor e akuzoi agjencinë federale për shkelje të ligjeve për ujin e pastër, duke hedhur substanca kimike që ngadalësojnë zjarrin në pyje.

Ata argumentuan se kimikati mund të dëmtojë habitatet ujore, duke vrarë peshqit, dhe se nuk është aq efektiv sa pretendohet.

Në vitin 2023, një gjykatëse e SHBA-së vendosi që Shërbimi Pyjor mund të vazhdojë përdorimin e këtij produkti, por vetëm nëse merr leje nga Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit (EPA). Ky vendim ka tërhequr vëmendjen e komuniteteve që kanë pësuar shkatërrime nga zjarret, si qyteti Paradise, i cili u shkatërrua nga flakët në vitin 2018. Kryetari i atëhershëm i qytetit, Greg Bolin, mbështeti vendimin, duke theksuar se ai do të mundësojë që komunitetet të kenë një mundësi për të luftuar zjarret më efikas.

Shërbimi Pyjor ka filluar këtë vit të reduktojë përdorimin e një formule të caktuar të Phos-Chek, të quajtur Phos-Chek LC95, dhe po kalon në përdorimin e një alternative më të sigurt për mjedisin, të quajtur MVP-Fx, që është më pak toksike për jetën e egër. Gjithashtu, Shërbimi Pyjor ka ndaluar përdorimin e këtyre substancave në zona të ndjeshme mjedisore, përfshirë habitatet e specieve të rrezikuara dhe rrugët ujore, përveç rasteve kur kërcënohet jeta e njerëzve ose siguria publike.