Shumë prej nesh e zgjedhin dushin apo banjën e nxehtë për t’u çlodhur dhe për t’u ngrohur, por a e keni menduar ndonjëherë se çfarë ndodh me lëkurën në këto raste? Ekspertët thonë se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj ujit të nxehtë mund të dëmtojë seriozisht lëkurën tonë.
Lëkura, organi më i madh i trupit, ka dy shtresa kryesore: epidermisin – që na mbron nga faktorët e jashtëm – dhe dermën, ku ndodhen enët e gjakut, nervat dhe gjëndrat e djersës.
Ky organ jo vetëm që na mbron nga rrezet ultravjollcë dhe mikrobet, por ndihmon edhe në prodhimin e vitaminës D dhe rregullimin e temperaturës trupore.
Sipas specialistëve, uji shumë i nxehtë rrit pH-në e lëkurës, duke prishur ekuilibrin e saj natyror dhe duke favorizuar rritjen e baktereve të dëmshme si Staphylococcus aureus. Kjo rrit rrezikun për infeksione dhe probleme dermatologjike.
Për më tepër, uji i nxehtë largon lagështinë nga derma dhe nxit tharjen e lëkurës, ndërsa humbja e ujit përmes djersës shtohet.
Banjat e gjata e të nxehta mund të çojnë edhe në ulje të presionit të gjakut dhe rritje të rrahjeve të zemrës, çka përbën rrezik për ata që vuajnë nga probleme kardiake.
Nxehtësia shkakton gjithashtu aktivizimin e molekulave që provokojnë inflamacion dhe kruarje, duke bërë që disa persona të përjetojnë skuqje apo puçrra pas dushit të nxehtë.
Ekspertët rekomandojnë që dushi të bëhet me ujë të vakët dhe të zgjasë jo më shumë se 10-15 minuta, për të mbajtur lëkurën të shëndetshme dhe të hidratuar.