Shumë kompani nuk e shohin me sy të mirë përdorimin e inteligjencës artificiale (IA) në aplikimet për punë, por kjo nuk do të thotë se duhet ta shmangni plotësisht. Ja pse dhe si mund ta përdorni në mënyrë të përgjegjshme gjatë kërkimit të një pune.
Është një periudhë konfuze për këdo që kërkon punë: ndërsa inteligjenca artificiale po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në botën e punës, shumë kompani, përfshirë edhe ato të fokusuara te IA, po theksojnë se nuk e miratojnë përdorimin e saj gjatë procesit të aplikimit.
Ju lutemi mos përdorni asistentë IA-je gjatë procesit të aplikimit”, u thotë kandidatëve në faqen e saj kompania Anthropic, krijuesja e asistentit të njohur Claude, siç raportoi Media. Ne duam të kuptojmë interesin tuaj personal për Anthropic pa ndërmjetësimin e një sistemi IA-je dhe gjithashtu duam të vlerësojmë aftësitë tuaja të komunikimit pa ndihmën e IA-së.
Megjithatë, mund të keni arsye shumë të forta për të dashur ose pasur nevojë të përdorni IA gjatë aplikimeve për punë. Lief Larson, drejtues ekzekutiv i Salesfolks, një agjenci rekrutimi për ekipet e shitjeve, thotë se për shumë kandidatë kjo duket si e vetmja mënyrë për të përballuar një treg pune të mbushur me aplikime, ku gjithçka varet nga volumi.
Kemi një numër të madh njoftimesh për punë, ndërkohë që njerëzit që kërkojnë punë po detyrohen të aplikojnë në më shumë pozicione se kurrë më parë, thotë Larson. Nëse e vë veten në vendin e kandidatit, e kuptoj pse ndodh kjo. Mund të shkruash më shumë përmbajtje, mund të përpiqesh ta personalizosh më shumë për një mundësi konkrete. Prandaj tundimi për ta përdorur është i madh dhe real.
Pra, si mund ta kuptojmë këtë kontradiktë? Nga njëra anë, përdorimi i IA-së po shihet si i domosdoshëm për shumë profesionistë, ndërsa nga ana tjetër dekurajohet pikërisht në një nga momentet më të rëndësishme të karrierës: aplikimi për punë.
Rezulton se rekrutuesit dhe menaxherët e punësimit kanë arsyet e tyre për ta kundërshtuar këtë mjet. Por kjo nuk do të thotë se kërkojnë ta hiqni plotësisht nga procesi.
Çfarë problemi ka përdorimi i IA-së gjatë kërkimit të një pune?
Kompanitë duan të punësojnë njerëz, jo robotë. Përndryshe nuk do të hapnin vende pune. Kur thonë “Mos përdorni IA”, ajo që në fakt po thonë është: “Duam të dimë që pas këtij CV-je apo letre motivimi qëndron një njeri i vërtetë, me interesa, aftësi komunikimi dhe një përvojë e këndvështrim unik”.
Kur fillon të fusësh shtresa artificiale teknologjie, kjo e vështirëson lidhjen me personin real”, thotë Larson. “Qoftë një kompani prodhimi që kërkon punonjës të rinj apo një kompani teknologjike IA-je që kërkon talente, në fund të ditës njerëzit vazhdojnë të kenë rol qendror në ekonomi. Njerëzit blejnë nga njerëz që njohin dhe u besojnë.
Kësaj i shtohet edhe problemi se IA nuk është gjithmonë burim i saktë apo i besueshëm, veçanërisht kur informacioni që i jepet është i mangët ose kur mënyra si është trajnuar teknologjia anon në një drejtim të caktuar. Për pasojë, rekrutuesit shpesh nuk mund t’i besojnë plotësisht një aplikimi të krijuar nga IA, ose që duket qartë se është krijuar prej saj. Teknologjia mund të ekzagjerojë aftësitë e dikujt ose të shpikë eksperienca dhe kompetenca që kandidati nuk i ka realisht.
Nëse po kërkon një rezultat të caktuar nga procesi i ndërtimit të aplikimit, IA do të marrë dëshirën tënde për t’iu përshtatur disa roleve specifike dhe do të përpiqet ta afrojë sa më shumë me ato pozicione, edhe kur je larg realitetit, thotë Larson.
Kam parë kandidatë të dorëzojnë CV perfekte, të kuruara deri në detaj, që të krijojnë përshtypjen e profesionistëve të jashtëzakonshëm, por që më pas ngecin plotësisht kur pyeten: Na tregoni për një rast kur ju është dashur të shpëtoni një marrëveshje që po dështonte. IA mund ta optimizojë një aplikim për fjalë kyçe, por nuk mund të krijojë eksperiencë reale.
Menaxherët e punësimit nuk bezdisen nga aplikimet e mbështetura nga IA vetëm sepse duken joautentike. Peter Swimm, ish-menaxher produkti në Microsoft dhe themelues i kompanisë së konsulencës Toilville, thotë se shpesh krijohet përshtypja sikur kandidati nuk respekton kohën dhe angazhimin e rekrutuesit për të gjetur personin e duhur.
Edhe nëse kjo tregon se kandidati di të përdorë mjetet e IA-së, punëdhënësit e shohin si një mënyrë për të manipuluar sistemin dhe për t’u hequr atyre mundësinë për të vlerësuar realisht talentin.
Dhe nëse të gjithë përdorin IA, bëhet shumë më e vështirë që edhe kandidatët më të mirë të dallohen.
IA i barazon të gjithë në një mënyrë që menaxherët e punësimit nuk e duan domosdoshmërisht, thotë Larson. Nëse po kërkon talentin më të mirë, gjëja e fundit që dëshiron është një grumbull aplikimesh që tingëllojnë të gjitha njësoj.
Rezultati janë vendime më të dobëta, punësime të gabuara dhe një proces rekrutimi shumë më kaotik. Duhet pasur parasysh edhe diçka tjetër: ekipet e burimeve njerëzore po përdorin vetë IA në proceset e tyre të përditshme, përfshirë edhe mjete që identifikojnë përmbajtjet e krijuara nga IA, aty ku kërkohet filtrimi i tyre.
Prandaj, ajo që duket si antipati ndaj IA-së mund të jetë thjesht një paralajmërim për kandidatët që nuk duan që CV-ja e tyre të përfundojë menjëherë në dosjen e refuzimeve, pa marrë ende një mundësi reale për intervistë.
Si ta përdorni IA-në në mënyrë të përgjegjshme gjatë kërkimit të punës
Larson dhe Swimm bien dakord se IA ka ende vendin e saj në procesin e kërkimit të punës.
Nëse je një person kureshtar, duhet ta përdorësh IA-në. Është një mjet shumë i fuqishëm dhe ka aftësi të jashtëzakonshme. Por në fund të ditës, duhet të mbetesh versioni më i mirë i vetes.
Një nga përdorimet më të mira të IA-së, sipas tyre, është përmirësimi i përmbajtjes që keni krijuar vetë.
Përdorimi i IA-së, sidomos për qartësinë e tekstit dhe gramatikën, është shumë i dobishëm. Nuk do ta lija kurrë IA-në të shkruante gjithçka nga zero. Do të shkruaja vetë dhe më pas do ta përdorja për të kontrolluar strukturën apo organizimin e tekstit.
Për shembull, IA mund t’ju ndihmojë të nisni një letër motivimi, të riformuloni një pikë të CV-së në mënyrë më konkrete dhe të orientuar te rezultatet, ose të organizoni më mirë përshkrimin në LinkedIn.
IA mund të shërbejë gjithashtu si partner për përgatitjen e intervistave ose si këshilltare karriere. Mund t’i kërkoni të sugjerojë përgjigje për pyetje të vështira në intervista, të simulojë rolin e intervistuesit të një kompanie ku keni aplikuar, apo t’ju japë këshilla për situata specifike të karrierës.
Në asnjë prej këtyre rasteve nuk mbështeteni plotësisht te teknologjia për të krijuar përshtypje të mirë. Ajo thjesht mund t’ju ndihmojë ose t’ju japë ide kur ndiheni të bllokuar.
Njerëzit futen në telashe, thotë Swimm, kur i kërkojnë IA-së të bëjë gjëra që vetë nuk i zotërojnë dhe teknologjia përfundon duke ndryshuar kuptimin e asaj që ata po përpiqen të thonë apo mënyrën si duan ta prezantojnë veten.