Auto & Moto

Çfarë po ndodh?! Bien shitjet e makinave të reja në BE…

Shitjet e makinave të reja në Bashkimin Evropian u ulën me rreth dy për qind në muajin nëntor, treguan të dhënat nga Shoqata Evropiane e Prodhuesve të Automobilave (ACEA). Regjistrimet e automjeteve të reja ranë në bazë vjetore me 1.9 për qind, në 869,816 makina. Në muajin tetor ato ishin rritur me 1.1 për qind. Ndër katër tregjet më të mëdha, Franca ra më shumë, me 12.7 për qind, e ndjekur nga Italia, ku shitjet u ulën me 10.8 për qind. Në të njëjtën kohë, shitjet në Spanjë u rritën me 6.4 për qind dhe në Gjermani ishin më të larta për 0.5 për qind.

Në muajin nëntor, vëllimi i shitjeve të makinave elektrike me bateri ra me 9.5 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, me pjesën e tregut që u zvogëlua nga 16.3 për qind në tetor në 15 për qind. Një rënie e tillë i atribuohet kryesisht një rënie të konsiderueshme të regjistrimeve në Gjermani dhe Francë. Kërkesa për hibride plug-in gjithashtu ka rënë në muajin nëntor, me 8.8 për qind. Nga ana tjetër, regjistrimet e reja të automjeteve hibride-elektrike janë rritur me 18,5 për qind dhe pjesa e tyre në treg është 33,2 për qind, krahasuar me 27,5 për qind në nëntor të vitit të kaluar.

Shitjet e makinave me benzinë ranë 7.8 për qind, për shkak të rënieve në të katër tregjet kryesore. Edhe tregu i makinave me naftë ra me 15.3 për qind, si pasojë e rënies në shumicën e tregjeve. Gjatë 11 muajve të parë të këtij viti, shitjet e makinave të reja u rritën me 0.4 për qind dhe arritën në 9.7 milionë njësi. Ndër tregjet më të mëdha, më së shumti kontribuoi Spanja, me rritje të shitjeve prej 5.1 për qind.

Raporti i Gjykatës Evropiane të Auditorëve tregon qartë se aktualisht ka pengesa në zinxhirin e furnizimit të lëndëve të para që mund të kërcënojë të gjithë tranzicionin drejt makinave elektrike. Inkurajimi i lëvizshmërisë elektrike duket si një rrugë e qartë për Bashkimin Evropian. Sigurisht që është e hapur rruga për teknologji të tjera me emetim zero në trafik, por tani për tani përveç hidrogjenit nuk ka asgjë. Por, edhe me makinat elektrike, situata nuk është aq e thjeshtë. Kësaj i duhet shtuar kostot në rritje dhe konkurrenca globale.