Bota

Cikloni në Majot, frikë për mijëra viktima!

Një ciklon i fuqishëm goditi territorin francez të Oqeanit Indian, Majot, duke shkatërruar shumë nga lagjet e tij të varfra. Me qindra njerëz dyshohet se kanë vdekur. Cikloni Chido shkaktoi dëme të mëdha në aeroportin e Majotit dhe ndërpreu furnizimin me energji elektrike, ujë e lidhjet e komunikimit kur dy ditë më parë goditi territorin më të varfër të Francës.

Prefekti François-Xavier Bieuville tha se pret që numri përfundimtar i viktimave të arrijë në rreth 1 mijë ose madje disa mijëra.

Një tjetër zyrtar i tha AFP-së se stuhia “nuk kurseu gjë”.

Spitali është goditur, shkollat janë goditur. Shtëpitë janë shkatërruar plotësisht.

Presidenti francez, Emmanuel Macron do të mbajë një takim krize për katastrofën. Ministri i Brendshëm i Francës, Bruno Retailleau, sot udhëton në Majot, me 160 ushtarë e zjarrfikës. Chido kishte erëra me shpejtësi prej të paktën 226 kilometrash në orë kur goditi Majotin, që ndodhet në lindje të Mozambikut.

Të paktën një e treta e 320 mijë banorëve të territorit jetojnë në lagje të varfra, ku shtëpitë me çati prej llamarine u shkatërruan nga stuhia. Një banor, i tregoi AFP-së për “skena apokaliptike” ndërsa përshkonte ishullin kryesor, duke pastruar vetë rrugët e bllokuara.

Një tjetër territor francez në Oqeanin Indian, rreth 1.400 kilometra larg, La Reunion, po shërben si bazë logjistike për operacionin e shpëtimit. Që kur cikloni goditi ishullin, pati disa angazhime ndërkombëtare për të ndihmuar Majotin, përfshirë nga organizata rajonale e Kryqit të Kuq, PIROI.

Kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se janë “gati të ofrojnë mbështetje ditët në vijim”. Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se OBSH-ja “është e gatshme të mbështesë komunitetet në nevojë për kujdes shëndetësor thelbësor”.

Me rreth 100 mijë njerëz që vlerësohet se jetojnë në mënyrë klandestine në Majot, sipas Ministrisë së Brendshme të Francës, përcaktimi i numrit të saktë të personave të prekur nga cikloni po rezulton i vështirë. Ousseni Balahachi, një ish-infermiere, tha se disa njerëz nuk guxonin të dilnin për të kërkuar ndihmë, “duke u frikësuar se mund të ishte një kurth” i krijuar për t’i larguar nga Majoti.

Shumë prej tyre qëndruan në vend deri në minutën e fundit, kur u bë tepër vonë për të shpëtuar nga cikloni.

Chido është më e fundit në një varg stuhish në mbarë botën, të nxitura nga ndryshimet klimatike. Chido shpërtheu përmes Oqeanit Indian dhe dje preku tokën në Mozambik, ku shkaktoi tre viktima. Agjencia humanitare e OKB-së, OCHA, paralajmëroi se 1.7 milion njerëz ishin në rrezik dhe se mbetjet e ciklonit mund të sjellin “reshje të konsiderueshme” në Malawi.

Zimbabve dhe Zambia gjithashtu mund të presin reshje të mëdha.