Gossip

Cila ka qenë pendesa e Princeshë Diana para vdekjes? “Lëndova William dhe Harry… ”

Pak para vdekjes, Princesha Diana dyshohet se ka rrëfyer një pendesë të thellë lidhur me intervistën e saj të famshme në Panorama, jo për ato që zbuloi për martesën dhe jetën e saj, por për plagën që ajo besonte se u shkaktoi djemve, Princit William dhe Princit Harry, atëherë vetëm 15 dhe 12 vjeç.

Sipas mikeshës së saj të ngushtë, Rosa Monckton, Diana ndjehej e rënduar nga ideja se rrëfimi i saj publik kishte lënduar fëmijët.

Ajo thuhet se ka pranuar se prapa vendimit për të folur qëndronin presioni i madh, pafuqia dhe brishtësia emocionale, të cilat e bënë të cenueshme ndaj qasjes së gazetarit Martin Bashir.

Intervista e vitit 1995, e ndjekur nga miliona njerëz në të gjithë botën, tronditi monarkinë britanike. Diana foli hapur për martesën e saj të vështirë me Princin Charles, betejat me buliminë dhe përdori shprehjen tashmë ikonike se “në këtë martesë ishim tre veta”, duke iu referuar aferës së Charles me Camilla Parker Bowles.

Në atë kohë, çifti ishte tashmë i ndarë, ndërsa divorci u finalizua në vitin 1996.

Vite më vonë, një hetim zbuloi se Bashir kishte përdorur metoda mashtruese për të siguruar intervistën, duke falsifikuar dokumente dhe duke manipuluar besimin e saj.

BBC kërkoi falje publike dhe u zotua të mos e transmetojë më intervistën, ndërsa Princat William dhe Harry kanë folur hapur për dhimbjen e shkaktuar nga ajo mbrëmje televizive.

Rosa Monckton e përshkruan Dianën si një grua që mbante brenda shumë dhimbje dhe që, me kalimin e kohës, u pendua thellësisht për pasojat që intervista pati tek djemtë e saj.

William dhe Harry kanë pranuar se ajo intervistë ndikoi në marrëdhënien e tyre me nënën, por edhe në mënyrën se si u formësua jeta e tyre nën vëmendjen e pamëshirshme të publikut dhe mediave.