Lifestyle Love & Sex

Cilat janë “red flags” në takimin e parë që nuk duhet t’i injorosh?

Takimi i parë shpesh është një lojë imazhi: veshjet më të mira, bisedat më interesante, versioni “më i rregulluar” i vetes. Por, edhe mes kësaj performance, psikologët thonë se dalin disa sinjale të qarta paralajmëruese, të cilat nuk duhen injoruar, sidomos nëse përsëriten.

Një prej tyre është mënyra si personi sillet me të tjerët. Vëzhgo si flet me kamarierin, si reagon nëse ka vonesë, si i trajton njerëzit rreth.

Nëse tregohet arrogant, përçmues, agresiv apo ironik, ka shumë gjasa që ky mosrespekt të shfaqet më vonë edhe ndaj teje, kur emocionet e para të jenë ulur.

Një “red flag” tjetër është fiksimi me ish-partnerët. Nëse pjesa më e madhe e takimit kthehet në rrëfim për ish-in dhe sa “toksik/e” ishte tjetri, sa “ndryshe” je ti dhe sa “i/e mirë” është ai/ajo, mund të tregojë se plagët emocionale janë ende të hapura dhe personi nuk është gati për një lidhje të re, por po kërkon zëvendësim.

Vëzhgo edhe mënyrën si flet për veten: nëse ekzagjeron arritjet, shfaqet gjithmonë “viktimë” në çdo histori, fajëson gjithmonë të tjerët dhe nuk merr asnjëherë përgjegjësi, ky është sinjal i mungesës së reflektimit. Në një lidhje, kjo do të thotë që në konflikte, faji “do jetë gjithmonë i yti”.

Rëndësi ka edhe respektimi i kufijve. Nëse të vë në siklet, insiston për pije, për lëvizje, për afërsi fizike apo për informacione personale që ti nuk je gati t’i ndash, dhe nuk pranon “jo”-në, kjo është shenjë alarmi.

Një njeri që respekton kufijtë në takimin e parë, ka më shumë gjasa t’i respektojë edhe në marrëdhënie.

Ekspertët këshillojnë të mos dramatizohen çdo detaj i vogël, të gjithë janë të emocionuar në takimin e parë, por nëse disa prej këtyre “red flags” përsëriten, ja vlen të reflektosh: a ndihem i/e sigurt, i/e respektuar dhe i/e dëgjuar pranë këtij personi? Nëse përgjigjja është jo, më mirë ta pranosh herët, sesa vonë.