Kolesteroli, i njohur shpesh vetëm për ndikimin e tij tek zemra dhe enët e gjakut, ka një rol jetik edhe në tru. Sipas ekspertëve, rreth 20-25% e kolesterolit në trup ndodhet në tru, ku është thelbësor për ndërtimin dhe ruajtjen e lidhjeve mes qelizave nervore – procese që mbështesin mësimin, kujtesën dhe funksionimin normal të trurit.
Ndryshe nga kolesteroli në gjak, ai nuk kalon në tru, prandaj truri është i detyruar ta prodhojë vetë.
Nivelet e ulëta të tij mund të ndikojnë negativisht në komunikimin mes neuroneve, duke shkaktuar probleme të kujtesës dhe dëmtime nervore. Këto çrregullime janë lidhur nga shkenca me sëmundje serioze si Alzheimer dhe Parkinson.
Nga ana tjetër, kolesteroli në gjak, sidomos ai me densitet të ulët (LDL), i njohur si “kolesteroli i keq”, gjithashtu ka ndikim në shëndetin e trurit.
Studime të shumta sugjerojnë se nivelet e larta të tij lidhen me rënie të aftësive mendore dhe rrezik më të madh për demencë me kalimin e moshës.
Megjithatë, tek të moshuarit, ky raport mbetet i paqartë, pasi disa kërkime tregojnë se kolesteroli i lartë mund të ketë edhe efekte mbrojtëse.
Në lidhje me statinat – ilaçet që përdoren për uljen e kolesterolit – studimet e fundit nuk kanë gjetur prova që ato shkaktojnë rënie të funksioneve mendore, duke hedhur poshtë shqetësimet e ngritura më herët.
Ekspertët theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar më qartë rolin e kolesterolit në shëndetin e trurit dhe marrëdhënien e tij me sëmundjet neurodegjenerative.