Sarah Jessica Parker ishte së fundmi e ftuar në podcast-in e njohur “Call Her Daddy”, ku përmes një bisede të qetë dhe plot kuptim, rikujtoi pse mbetet një figurë unike dhe e dashur.
Aktorja e njohur tregoi se asnjëherë nuk ka qenë nga ato persona që ndjekin verbërisht modën apo tendencat më të fundit, por ka ndërtuar stilin e saj autentik, larg zhurmës dhe presionit të trendeve.
Parker foli për fillimet e saj me modën, që nuk erdhën nga revistat apo pasarelat, por nga edukimi i marrë nga nëna e saj. Ajo theksoi se e ëma e mësoi të vlerësojë cilësinë dhe qëndrueshmërinë e rrobave, pavarësisht çmimit apo markës, duke zgjedhur gjithmonë veshje që “thonë diçka” dhe që zgjasin në kohë.
Gjatë intervistës, aktorja kujtoi edhe bashkëpunimin e saj të paharrueshëm me Patricia Field, stilisten ikonike të “Sex and the City”.
Ato kaluan orë të tëra duke eksperimentuar me rroba, këpucë dhe aksesorë, një proces që për Parker ishte më shumë se punë – ishte art dhe mënyrë shprehjeje. Interesant është fakti se ajo ka ruajtur të gjitha veshjet e Carrie Bradshaw, të arkivuara me kujdes, përveç një rripi të zi me thumba, të cilin e përdor ende vetë.
Megjithatë, edhe pse ka në dorë një nga gardërobat më të famshme në botë, vajzat e saj binjake nuk janë veçanërisht të impresionuara dhe nuk kërkojnë prej saj rroba. Sipas Parker, ato po krijojnë stilin e tyre, pa ndikuar nga fama e saj.
Në një nga momentet më argëtuese të intervistës, kur prezantuesja e pyeti nëse do të mbante një “labubu” në çantë, Parker e ktheu me një pyetje naive:
Çfarë është?
– një reagim që sipas fansave përshkruan më së miri natyrën e saj të thjeshtë dhe larg dëshirës për të ndjekur çdo modë kalimtare. Dhe pikërisht kjo e bën Sarah Jessica Parker kaq të veçantë.