Sarah Jessica Parker, e njohur gjerësisht për rolin e saj ikonik si Carrie Bradshaw në serialin “Sex and the City”, ka zbuluar se fillimisht nuk ishte aspak e sigurt për këtë rol.
Gjatë një interviste në podcast-in “Are You A Charlotte?” të aktores Kristin Davis, Parker pranoi se kishte tentuar të largohej nga seriali menjëherë pas xhirimeve të episodit pilot.
Fola me agjentët e mi dhe u thashë: ‘A mund të më nxirrni nga kjo?’
Edhe pse kishte pasur një eksperiencë “të këndshme” gjatë xhirimeve fillestare, ideja e një angazhimi afatgjatë në një serial e kishte trishtuar dhe e kishte bërë të ndjehej e bllokuar.
Parker tha se e kishte imagjinuar veten si një aktore “shëtitëse”, që do të alternonte role në teatër, film dhe televizion, dhe jo e lidhur me një projekt pa fund të caktuar. Megjithatë, sapo nisi sezoni i parë, ndjesitë e saj ndryshuan krejtësisht.
Nuk kishte vend tjetër ku do të doja të isha më shumë se sa në xhirime, çdo ditë të vetme
Pavarësisht dyshimeve fillestare, Parker jo vetëm që fitoi një çmim Emmy për rolin, por u bë simboli i një epoke dhe më vonë riktheu Carrien në dy filma dhe në serinë e re “And Just Like That…”.