Noti nuk është vetëm një aktivitet relaksues apo një mënyrë për t’u freskuar gjatë ditëve të nxehta. Sipas ekspertëve, ky ushtrim i plotë për trupin është një nga mënyrat më efektive për të ruajtur shëndetin e trurit dhe për të zgjatur jetën.
Seena Mathew, neurobiologe dhe asistente profesoreshë në Universitetin e Mary Hardin-Baylor, thekson se noti ka efekte të jashtëzakonshme në kujtesë, funksione njohëse dhe gjendjen emocionale.
Studimet tregojnë se ky aktivitet stimulon prodhimin e kimikateve të trurit që lidhen me kujtesën dhe njohjen, duke ndihmuar në parandalimin e dëmtimeve që lidhen me plakjen.
Një nga përfitimet kryesore të notit është përmirësimi i humorit. Si çdo aktivitet aerobik, noti nxit çlirimin e endorfinave – të njohura si hormonet e lumturisë – duke reduktuar ankthin dhe ndjenjat e trishtimit.
Por përfitimet nuk ndalen këtu.
Noti është veçanërisht i lidhur me rritjen e niveleve të faktorëve neurotrofikë të derivuar nga truri (BDNF), një element thelbësor për kujtesën dhe aftësitë njohëse. Nivele të ulëta të BDNF janë të zakonshme te njerëzit me vështirësi njohëse, ndërsa noti ndihmon në rritjen e tyre, duke mbajtur trurin më aktiv dhe më të shëndetshëm.
Një studim i vitit 2019 me pjesëmarrjen e 18 notarëve të rritur tregoi se vetëm 20 minuta not me intensitet të moderuar përmirësuan dukshëm funksionet e trurit.
Ky rezultat nënvizon potencialin e madh që ka noti për të forcuar aftësinë e trurit për të krijuar qeliza dhe lidhje të reja nervore.
Ekspertët theksojnë se noti, ndryshe nga ushtrimet e tjera kardio, angazhon të gjithë trupin, duke kombinuar përfitimet fizike me ato mendore.
Si rrjedhojë, ky aktivitet mbetet një nga mënyrat më të thjeshta dhe më të fuqishme për të investuar në shëndetin afatgjatë të trurit.