Mungesa e kapitenit të Portugalisë, Cristiano Ronaldo, në funeralin e bashkëkombësit dhe mikut të tij të skuadrës, Diogo Jota, dhe vëllait të tij Andre Silva, ka shkaktuar reagime të shumta dhe pyetje të mëdha në botën e futbollit. Ceremonia mortore u zhvillua në qytetin e vogël Gondomar, pranë Portos, ku morën pjesë mijëra njerëz dhe emra të njohur të sportit, ndërsa prania e Ronaldos mungoi plotësisht.
Pavarësisht tronditjes së komunitetit sportiv dhe mediave portugeze nga vendimi i Ronaldos për të mos marrë pjesë, e përditshmja britanike The Mirror raportoi ekskluzivisht arsyen e supozuar të këtij vendimi të pazakontë.
Sipas burimeve të tyre, Ronaldo vendosi të mos ishte i pranishëm për të shmangur trazirat dhe vëmendjen e tepruar që do të sillte me vete në një komunitet të vogël si Gondomar.
Në raport theksohet se në çdo vend ku shfaqet, Ronaldo shkakton kaos për shkak të popullaritetit dhe ndikimit të tij të jashtëzakonshëm, dhe këtë herë ai zgjodhi të qëndrojë larg nga respekti për privatësinë e familjes dhe për të ruajtur qetësinë e ceremonisë.
Megjithatë, kapiteni portugez ka kontaktuar personalisht me familjen e Jotës, duke u shprehur ngushëllimet dhe duke sqaruar arsyen e mungesës së tij.
Ndërkohë, shumë prej ish-bashkëlojtarëve të Jotës, përfaqësues të klubit të Liverpoolit, Bernardo Silva, Ruben Neves, si dhe agjenti i njohur Jorge Mendes, ishin mes të pranishmëve në ceremoninë prekëse që preku zemrat e të gjithë Portugalisë.
Vendimi i Ronaldos, megjithëse i diskutueshëm, është përshkruar si një akt respekti dhe vetëpërmbajtjeje, me synimin për të mos kthyer një moment zie në një spektakël publik.