Showbiz

Gondomar i mbuluar nga dhimbja: Mijëra vetë i japin lamtumirën Diogo Jotës dhe vëllait të tij! A ishte prezent Cristiano Ronaldo?

Qyteti portugez i Gondomar-it u kthye mbrëmjen e kaluar në një det emocionesh dhe dhimbjeje, teksa mijëra qytetarë u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit sulmuesit të Liverpool-it, Diogo Jota, dhe vëllait të tij, André, të cilët humbën jetën tragjikisht në një aksident automobilistik natën mes 2 dhe 3 korrikut.

Ceremonia mortore u zhvillua në kishën famullitare të qytetit, ku pjesëmarrja ishte e jashtëzakonshme.

Brenda ambienteve të kishës ishin vetëm familjarët dhe miqtë më të afërt, ndërsa jashtë, turma të mëdha qëndronin në heshtje, në nderim të dy të ndjerëve.

Ndër të pranishmit ishin emra të njohur të futbollit si Bernardo Silva, Ruben Neves dhe menaxheri Jorge Mendes, si dhe një delegacion i posaçëm nga klubi i Liverpool-it, i cili ka konfirmuar se do të vazhdojë pagesën e kontratës së Jotës për të mbështetur familjen e tij.

Bashkëshortja e Jotës, Rute Cardoso, me të cilën ai ishte martuar vetëm 11 ditë para tragjedisë, qëndronte pranë arkivolit e përhumbur në dhimbje, ndërsa tre fëmijët e çiftit nuk ishin të pranishëm.

Në fund të ceremonisë, ipeshkvi i Portos mbajti një fjalim prekës, duke përmendur pikëllimin e thellë të familjarëve, veçanërisht të fëmijëve të vegjël që tashmë janë jetimë.

Ndërkohë, mungesa e Cristiano Ronaldos në ceremoni është komentuar gjerësisht në mediat portugeze.

Pavarësisht mesazhit ngushëllues që ai postoi në rrjetet sociale, raportimet tregojnë se Ronaldo ndodhej me pushime në jahtin e tij në Majorka, çka ka shkaktuar reagime të përziera në opinionin publik.