Gossip

Cynthia Erivo shpërthen në lot në shkollën e saj: “Kur isha 5 vjeç, kënga më ndryshoi jetën”

Aktorja e nominuar për çmimin Oscar, Cynthia Erivo, është rikthyer pas më shumë se 20 vitesh në shkollën e saj të mesme, La Retraite Catholic Girls’ School në Clapham Park, Londër, duke surprizuar nxënëset me një vizitë emocionuese dhe një duet të papritur.

Vizita, e organizuar nga Greg James dhe ekipi i BBC Radio 1, u kthye në një moment shumë personal për Erivo-n.

Teksa vajzat po këndonin “For Good” nga filmi “Wicked”, ku ajo interpreton, Cynthia nuk i mbajti dot lotët. E ulur mes tyre, ajo u prek thellë nga performanca dhe nga fakti që ishte sërish në vendin ku dikur kishte luajtur në shfaqjet e para shkollore.

Shkova në këtë shkollë dhe e lashë më shumë se 20 vjet më parë, kështu që të kthehesha dhe t’ju dëgjoja duke kënduar këtë këngë është vërtet e mrekullueshme

-tha ajo, duke i përgëzuar nxënëset.

Është shumë bukur t’ju shoh dhe të jem përsëri këtu.

Edhe vajzat dukeshin po aq të emocionuara, ndërsa Cynthia u dha kurajë:

Kam qenë pikërisht aty ku jeni ju. Mos kini frikë të ëndërroni dhe të punoni shumë. Ndiqni atë që doni.


E pyetur se kur e kuptoi se donte të merrej me aktrim dhe këndim profesionalisht, Erivo tregoi se gjithçka nisi që në moshën 5-vjeçare, kur iu kërkua të këndonte “Silent Night” në festën e Krishtlindjeve në shkollë:

Diçka në mënyrën si reaguan njerëzit ndezi një shkëndijë gëzimi tek unë. Më pëlqeu që diçka që unë bëja i bënte njerëzit të lumtur. Kjo nuk ka ndryshuar kurrë

-u shpreh ajo.

Momenti nostalgjik, lotët e gëzimit dhe këshillat e sinqerta për vajzat e reja e kthyen vizitën e Cynthia Erivo-s në një nga ato skena reale që duken si të dalë nga një film frymëzues.