Një incident i papritur ka ndodhur gjatë premierës së filmit “Wicked: For Good” në Singapor, ku këngëtarja dhe aktorja e njohur Ariana Grande u sulmua nga një fans teksa po ecte në tapetin e kuq.
Ariana, 32 vjeç, po shoqërohej nga aktorja Cynthia Erivo (38 vjeç), e cila luan rolin e Elphabës, kur një burrë u afrua me shpejtësi nga pas dhe e mbërtheu atë me krah, duke e befasuar si këngëtaren, ashtu edhe organizatorët e eventit.
Në videon që po qarkullon në rrjetet sociale, shihet momenti kur Cynthia reagon menjëherë, duke u vendosur trup më trup përpara Ariana-s për ta mbrojtur, ndërsa rojet e sigurisë ndërhyjnë për ta larguar agresorin.
Burri në fjalë është identifikuar si Johnson Wen, një personazh i njohur për sjellje të ngjashme në evente publike, i cili më parë ka sulmuar edhe yje si Katy Perry, The Weeknd dhe The Chainsmokers.
Ai njihet në rrjet si “Pyjama Man” për shkak të veshjeve të tij të pazakonta dhe ndërhyrjeve të papritura.
Pas ngjarjes, Wen postoi një video në rrjetet sociale ku “falënderonte” Ariana-n, duke thënë se “përqafimi ishte ëndrra e tij që u bë realitet”, një deklaratë që shkaktoi zemërim masiv nga fansat e këngëtares, të cilët e cilësuan veprimin e tij “të frikshëm dhe të papranueshëm”.
Fansat theksuan se, pas traumave që Ariana ka përjetuar ndër vite, përfshirë sulmin terrorist në koncertin e saj në Manchester në vitin 2017, ky incident ishte një plagë e re për artistën.
Ngjarja ndodhi gjatë ndalesës së vetme aziatike të turit promovues të filmit Wicked, i cili do të përmbyllet me premierën madhështore në Nju Jork më 17 nëntor.