Një mbrëmje e zakonshme që ishte planifikuar për t’u kaluar mes miqsh u shndërrua në një tragjedi tronditëse. Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, dhe bashkëshortja e tij Michelle kishin planifikuar të kalonin të dielën në darkë me regjisorin e njohur Rob Reiner dhe gruan e tij, Michele.
Takimi nuk u realizua kurrë, pasi pak orë më vonë çifti Reiner u gjet pa shenja jete në rezidencën e tyre në Los Angeles.
Michelle Obama foli publikisht për herë të parë për ngjarjen e rëndë gjatë një interviste në emisionin “Jimmy Kimmel Live”, ku e përshkroi Reiner si një mik të vjetër dhe shumë të afërt të familjes së saj.
I njihnim prej shumë vitesh. Do t’i takonim atë natë dhe papritur morëm lajmin e trishtë
-u shpreh ajo me emocion.
Ish-Zonja e Parë reagoi gjithashtu ashpër ndaj deklaratave të presidentit aktual amerikan, Donald Trump, i cili kishte lidhur vdekjen e çiftit me të ashtuquajturën “Sindromë e Çrregullimit të Trumpit”.
Më lejoni të them vetëm këtë: ndryshe nga disa njerëz, Rob dhe Michele Reiner ishin ndër njerëzit më të mirë dhe më të guximshëm që kam njohur ndonjëherë. Ata nuk ishin të çmendur
-tha Michelle Obama.
Ajo theksoi se çifti ishte i njohur për pasionin, guximin dhe përkushtimin ndaj vlerave, edhe në kohë kur, sipas saj, guximi është i rrallë.
Ata ishin njerëz që vendosnin veprimet përpara interesave personale. Kujdeseshin për familjen, për këtë vend, për drejtësinë dhe barazinë. Kjo është e vërteta dhe unë i njoh mirë
-shtoi ajo.
Rob Reiner, 78 vjeç, dhe bashkëshortja e tij Michele, 70 vjeçe, u gjetën të vrarë nga vajza e tyre në vilën luksoze prej 13.5 milionë dollarësh në zonën Brentwood të Los Angelesit.
Sipas autoriteteve, djali i tyre, Nick Reiner, është shpallur përgjegjës për vdekjen e prindërve.
Të hënën në mbrëmje u publikuan pamje nga momenti i arrestimit të Nick Reiner, 32 vjeç, në një stacion metroje në Los Angeles, rreth 15 milje larg banesës së familjes. Arrestimi u krye nga njësia e vrasjeve e Departamentit të Policisë së Los Angelesit, me mbështetjen e Marshallëve të Shteteve të Bashkuara.