Bad Bunny realizoi një nga performancat më të komentuara të Super Bowl-it këtë vit, duke sjellë në skenë jo vetëm energjinë e muzikës portorikane, por edhe një moment që askush nuk e priste.
Reperi i famshëm mirëpriti disa yje të mëdhenj, mes tyre edhe Lady Gaga, por ajo që rrëmbeu vëmendjen e miliona shikuesve ishte një “dasmë” e zhvilluar drejtpërdrejt gjatë shfaqjes.
Sipas konfirmimit të People, ceremonia në stil portorikan nuk ishte thjesht pjesë e skenarit artistik, çifti që u pa duke u puthur dhe duke shkëmbyer zotime para kamerave është real.
Edhe pse identiteti i tyre mbetet i panjohur, ata u martuan përpara një audience globale, mes vallëzimeve, këngëve dhe festës së dashurisë në të gjitha format e saj.
Pamjet virale tregojnë momentin kur çifti pret tortën madhështore me tre kate, ndërsa Bad Bunny dhe Lady Gaga i japin skenës një nga çastet më magjike të mbrëmjes, duke e kthyer performancën në një përvojë unike dhe emocionale.
Artisti portorikan, fitues i çmimeve Grammy, interpretoi disa nga hitet e tij më të njohura si “Tití Me Preguntó”, “Yo Perreo Sola” dhe “Voy a Llevarte Pa’ PR”, si dhe klasike të muzikës latine si “Gasolina” dhe “Dale Don Dale”.
Pas mesazheve të tij politike të shprehura ditë më parë në ceremonitë e çmimeve, ku foli hapur kundër urrejtjes, Bad Bunny zgjodhi që në Super Bowl të përgjigjej ndryshe: me dashuri.
Mesazhi i shfaqur në ekranin gjigant e përforcoi këtë ide:
E vetmja gjë më e fuqishme se urrejtja është dashuria.