Data e parashikuar për lindjen ka ardhur dhe ka kaluar, por fëmija nuk po duket ende? Nuk jeni të vetmet, kjo është më normale sesa mund të mendoni.
Ekspertët shpjegojnë se data e llogaritur është thjesht një parashikim i përafërt dhe nuk tregon saktësisht momentin kur do të lindë fëmija. Në fakt, shumica e grave lindin një ose dy javë para ose pas datës së parashikuar.
Një shtatzëni konsiderohet “e vonuar“ kur zgjat më shumë se dy javë pas datës së caktuar. Disa faktorë rrisin gjasat e shtatzënisë së vonuar:
-Data e fillimit të ciklit menstrual nuk është e saktë, gjë që mund të çojë në llogaritje të gabuar të datës së lindjes.
-Kjo është shtatzënia e parë.
-Ju keni pasur më parë shtatzëni të vonuara.
-Në familjen tuaj ka pasur raste të shtatzënive të vonuara.
-Fëmija është djalë.
Rrallëherë, një shtatzëni që tejkalon datën e parashikuar mund të lidhet me probleme të placentës ose të fetusit. Për këtë arsye, kontrollet e rregullta mjekësore janë thelbësore edhe pas datës së lindjes.
Mjeku do të monitorojë vazhdimisht shëndetin tuaj dhe të foshnjës, duke kontrolluar:
-Qafën e mitrës për të parë nëse është duke u holluar dhe zgjatur, përgatitje për lindje.
-Rrahjet e zemrës së fetusit, duke përdorur monitor elektronik ose ultratinguj për të parë lëvizjet e fëmijës dhe sasinë e lëngut amniotik.
Pra, edhe nëse fëmija nuk po vjen pikërisht në datën e parashikuar, shumica e shtatzënive që tejkalojnë këtë kohë janë krejt normale.
Kontrolli i vazhdueshëm mjekësor ju siguron që gjithçka të shkojë mirë dhe ju jep qetësi derisa të vijë momenti i pritshëm i lindjes.