Gossip Showbiz

David dhe Victoria Beckham bëjnë një tjetër përpjekje drejt Brooklyn-it?

David Beckham dhe Victoria Beckham kanë ndarë mesazhe publike për ditëlindjen e djalit të tyre të madh, Brooklyn Beckham, i cili mbushi 27 vjeç, vetëm gjashtë javë pasi deklaroi se kishte shkëputur lidhjet me familjen.

Në një përpjekje që është interpretuar si një “degë ulliri”, David publikoi në Instagram një foto nga fëmijëria e Brooklyn-it, duke përdorur nofkën e tij “Buster” në mesazh:

27 sot. Gëzuar ditëlindjen Bust. Të duam x


Pak minuta më vonë, Victoria shpërndau të njëjtën foto, duke shkruar:

Gëzuar ditëlindjen Brooklyn, të duam shumë

Më pas publikoi një tjetër imazh ku shfaqej duke qeshur me të birin, të shoqëruar me zemra.

Brooklyn, i cili jeton në SHBA me bashkëshorten e tij, aktoren Nicola Peltz, bëri bujë në janar me një deklaratë të gjatë në Instagram, ku akuzonte prindërit se kishin tentuar të sabotonin martesën e tij dhe se kishin vendosur imazhin publik mbi marrëdhëniet familjare.

Në gjithë jetën time, prindërit e mi kanë kontrolluar narrativat në media për familjen tonë

-shkroi ai, duke shtuar se kishte parë “deri ku mund të shkojnë për të ruajtur fasadën e tyre”.

Mungesa e Brooklyn-it është vënë re edhe në evente të rëndësishme familjare. Ai nuk u shfaq në dokumentarin e fundit të nënës së tij në Netflix dhe mungoi në premierën e tij, si dhe në festimet e 50-vjetorit të David-it. Gjithashtu, ai dhe Nicola nuk morën pjesë në ceremoninë e nderimit të ish-futbollistit në Windsor Castle.

Ndërkohë, vëllezërit e tij, Romeo dhe Cruz, nuk kanë reaguar publikisht për ditëlindjen e Brooklyn-it. Vetëm halla e tij, Louise Adams, ndau një foto të vjetër familjare në rrjetet sociale.

Ky nuk është rasti i parë që David përpiqet të zbusë situatën. Në natën e Vitit të Ri, ai përfshiu një foto të Brooklyn-it në përmbledhjen familjare të vitit, duke shkruar:

Ju dua të gjithëve shumë.

Postimi u rishpërnda nga Victoria me një zemër.

Tensionet familjare kanë qenë në qendër të vëmendjes muajt e fundit, por mesazhet e fundit sugjerojnë se, pavarësisht përplasjes publike, prindërit e tij mbeten të hapur për pajtim.