Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi tha për mediat se nuk ka vend për alarm për qytetarët shqiptarë, referuar njoftimit të bërë dje nga Ambasada Amerikane në Shqipëri, ku paralajmëronte sulme nga Irani.
Nuk ka vend për shqetësim. Ambasada Amerikane ka bërë thirrjen për të gjithë qytetarët e saj, e bën për të gjithë Evropën. Nuk e ka specifike për Shqipërinë.
Opozita ngriti shqetësimin, sot në nisje të seancës plenare në Kuvend dhe kërkoi të mblidhet Këshilli i Sigurisë. Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, tha se opozita po bën teatër.
Balla deklaroi se Shqipëria përshëndet vendimin e presidentit Donald Trump për të sulmuar më fort deri në asgjësim të infrastrukturës së regjimit të Iranit.
Më vjen keq që për hesap të debatit politik përdorët një njoftim rutinë si në të gjitha ambasadat e SHBA-ve, që në mënyrë të përditshme njoftojnë qytetarët e vet se mund të jenë target i sulmeve të regjimit iranian, ndërkohë që ajo që duhet të themi sot me të njëjtin zë: Shqipëria është aleat i SHBA-ve.
Në të gdhirë, Trump qartësoi hapat e mëtejshëm në të cilët SHBA-të do të ecin në këtë drejtim. Përshëndesim Trump-in në atë ndërhyrje historike sa i përket asgjësimit.
Amerika e ka mbështetur Shqipërinë kur ne kemi qenë shënjestër e sulmeve të regjimit iranian, jemi shumë krenarë që në Kuvend kemi miratuar një deklaratë që për turpin tuaj nuk morët pjesë e pastaj për turpin tuaj dolët dhe i shpallët luftë Iranit.
Lërini teatrot, por bëni atë që duhet të bëjë një politikan i përgjegjshëm. Shqipëria aleate e SHBA-ve, vend anëtar i NATO-s, sot nuk ka informacion zyrtar për të qenë target i sulmeve.
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari tha se lidhur me njoftimin e ambasadës amerikane ka pasur komunikime të drejtpërdrejta të strukturave të dedikuara të policisë me selinë diplomatike dhe s’ka një rrezik real. Lamallari deklaroi se vendi ynë ka marrë masa të shtuara sigurie, në raport me zhvillimet ndërkombëtare.
Deputeti socialist Erion Braçe shtoi se njoftimi i ambasadës amerikane është çështje që duhet trajtuar në komisionet parlamentare dhe nuk duhet përhapur panik.
Turizmi është degë e ekonomisë që zhvillohet vetëm me besimin dhe prej muajsh ka një përpjekje shumë të madhe për ta goditur, boll me kaq, tha Braçe.