Të ftuara në emisionin e sotëm të “Big Brother Radio” me Elona Duron kanë qenë aktorja e mirënjohur Julia Ilirjani, aktivistja Suela Kocibellinj dhe psikologia Entela Binjaku për të bërë një analizë të lojës së banorëve dhe për të dhënë mendimin e tyre për videot më të spikatura gjatë 24 orëve të fundit në shtëpinë e BBV.
Ashtu si edhe moderatorja e përmendi në fillim të emisionit, një gjë që kemi vënë re këto ditë në shtëpi kanë qenë debatet me tone të ashpra dhe me ulërima, të cilat nuk kanë ndikuar vetëm tek banorët, por edhe tek dëgjuesit e këtij programi. E pyetur nëse kjo gjë na efekton negativisht, Suela u përgjigj:
Absolutisht që ndikojnë, absolutisht. Tonet agresive, fjalët e këqija, fjalët sulmuese, tonet agravuese që duan të bëjnë presion tek njëri-tjetri. Pa kaluar tek gjuha e trupit që është shumë e dhunshme. Absolutisht që ndikojnë.
Një nga debatet më të forta, që u zhvillua fuqishëm edhe në Prime, ishte midis Laertit dhe Gertit. Duke qenë se ata janë aktorë, ashtu siç është edhe Julia, si i duken kësaj të fundit këto shpërthime të dy banorëve?
Shiko, unë në fakt kur e pashë debatin dje, m’u duk si një histeri interpretative. Nuk m’u duk si një debat real. Nuk m’u duk si një konflikt i vërtetë nga të dyja palët. Domethënë edhe fakti që ata u acaruan kaq shumë, kaluan nota aq të larta, për një histori që ka ndodhur 10 vjet para, m’u duk si marrje vëmendje nga ana e të dyve të Prime-t.
Nëse kanë aktruar apo jo, kjo sjellje e tyre ka ndikuar në gjendjen e saj si shikuese?
A më pëlqen kur e shoh këtë gjë? Absolutisht fare se nuk dua ta ngarkoj veten dhe të them vërtetë që artistët janë në këto situata, që të ulërasin kështu dhe të merren me gjëra. Nuk më pëlqeu. Ime bijë, se po e shikoja me të, e mori seriozisht atë sherrin. Mua nuk m’u duk fare serioz. Në kuptimin që edhe midis tyre nuk m’u duk serioz. M’u duk diçka e stistur. Me të thënë të vërtetën mua edhe kur kam qenë brenda, edhe nga jashtë, më janë dukur të stisur.