Aktualitet

Deficiti i jashtëm i ekonomisë ra me 41% në tremujorin e parë të vitit!

Deficiti i llogarisë korrente u ngushtua për tremujorin e parë të vitit. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se ra në 212 milion euro, 41% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Tkurrja e deficitit të jashtëm në tremujorin e parë erdhi paralelisht nga rënia e deficitit në mallra dhe zgjerimi i mëtejshëm i suficitit në shërbime.

Për tremujorin e parë, deficiti tregtar në mallra zbriti në vlerën e 1.17 miliardë eurove, në rënie 5.4% krahasuar me vitin e kaluar. Përmirësimi i deficitit të tregtisë së mallrave erdhi nga rritja e eksporteve, me 29% më shumë krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.

Paralelisht, suficiti në llogarinë e shërbimeve arriti në 696 milion euro, në rritje me 11% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Në llogarinë e shërbimeve, kontributin kryesor e dha përsëri turizmi, që solli të ardhura neto në vlerën e 295 milion eurove, në rritje me 10.5% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.

Madje, edhe të ardhurat nga shërbimet për përpunim të inputeve fizike të zotëruara nga të tjerët (fasoneria) regjistruan rritje me 4.7% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Edhe shërbimet e tjera profesionale të ofruara nga subjektet shqiptare për ato jorezidente shënuan rritje në 133 milion euro, 20% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Një efekt pozitiv dha në tremujorin e parë edhe rënia e lehtë e deficitit të të ardhurave parësore, që përfshin kryesisht të ardhurat nga puna e investimet, si edhe një rritje e vogël në zërin e të ardhurave dytësore, që përbëhet kryesisht nga dërgesat e emigrantëve.

Vlera e remitancave gjatë tremujorit të parë arriti në 251 milion euro, në rritje me 3.7% krahasuar me një vit më parë.

Në shifrat e bilancit të pagesave duhet mbajtur gjithashtu parasysh edhe efekti i kursit të këmbimit. Forcimi i Lekut në kursin e këmbimit me Euron ka tendencën të japë një ndikim pozitiv mbi deficitin e llogarisë korrente. Në fund të tremujorit të parë 2025, Euro këmbehej me 99.29 lekë, në rënie me 3.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Megjithëse bilanci i llogarisë korrente në tërësi ngelet negativ, llogaria financiare dhe sidomos investimet e huaja direkte vazhdojnë të sjellin flukse të konsiderueshme, që edhe në tremujorin e parë kompensuan deficitin e llogarisë korrente. Investimet e huaja direkte kishin vlerën e 354 milion eurove, shumë kjo sa 167% e vlerës së deficitit të llogarisë korrente./ Monitor