Aktualitet

Vitin e kaluar nga Shqipëria doli 2.3 herë më shumë valutë se një vit më parë!

Deficiti i llogarisë korrente u përkeqësua vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, deficiti arriti vlerën e 607 milion eurove, në rritje me 157% krahasuar me vitin 2023. Kjo do të thotë që nga vendi dolën rreth 5.6 miliardë euro, kryesisht për blerjen e produkteve të importit ndërsa hynë rreth 5 miliardë euro, në formën e transfertave të emigrantëve, eksporteve, prurjeve të turistëve, të ardhurave nga puna jashtë vendit, etj.

Vitin e kaluar, deficiti kishte zbritur në vetëm 263 milion euro (4.53 miliardë euro valutë e dalë dhe 4.27 miliardë euro valutë e hyrë). Edhe tremujori i fundit 2024 rezultoi me rritje të ndjeshme të deficitit të llogarisë korrente, në vlerën e 232 milion eurove, 55% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në rritjen e deficitit të llogarisë korrente për 2024-ën, efektin kryesor e dha thellimi i deficitit tregtar në mallra që vitin e kaluar arriti në pothuajse 5.6 miliardë euro, me rritje prej 23% krahasuar me një vit më parë.

Bilanci tregtar në shërbime u përmirësua përsëri më 2024-ën, por në përmasa të pamjaftueshme për të mbushur “gropën” e deficitit në tregtinë e mallrave.

Llogaria e jashtme në shërbime vitin e kaluar ishte pozitive në vlerën e gati 3.9 miliardë eurove, në rritje me 15% krahasuar me një vit më parë.

Pjesa dërrmuese e suficitit në shërbime erdhi nga turizmi. Statistikat treguan se të ardhurat neto në zërin e udhëtimeve të Bilancit të Pagesave kishin vlerën e 2.3 miliardë eurove, në rritje me 25% krahasuar me vitin 2023.

Por, ndërkohë që turizmi vazhdoi të rrisë kontributin pozitiv në bilancin e pagesave, të ardhurat nga fasoneria pësuan rënie. Të ardhurat neto nga shërbimet për përpunim të inputeve fizike, të zotëruara nga të tjerët ranë në 662 milion euro, 14% më pak krahasuar me një vit më parë.

Nëse përjashtojmë vitin pandemik 2020, kjo është rënia e parë e të ardhurave nga fasoneria që prej vitit 2013. Vitet e fundit, sektori i fasonerisë është goditur rëndë nga mbiçmimi i fortë i lekut në kursin e këmbimit me euron. Ky mbiçmim ka vijuar edhe gjatë vitit 2024 dhe kursi ka arritur rekorde të reja historike në ulje, pranë kufirit të 98 lekëve.

Kontribut në rritje në bilancin e llogarisë korrente, dhanë përsëri remitancat. Vitin e kaluar, dërgesat e emigrantëve arritën vlerën e 1.045 milardë eurove, në rritje me 12.5% krahasuar me një vit më parë.

Valët e reja të emigrimit të shqiptarëve në vitet e fundit kanë rimëkëmbur remitancat, duke ndikuar pozitivisht bilancin e llogarisë korrente të vendit. Inflacioni i lartë dhe rënia e kursit të Euros gjatë dy viteve të fundit, gjithashtu mund të ketë nxitur rritjen e remitancave, për të mundësuar ruajtjen e fuqisë blerëse të familjeve të varura prej tyre.

Pavarësisht se bilanci i llogarisë korrente u përkeqësua ndjeshëm vitin e kaluar, kursi i këmbimit Euro-Lek vazhdoi rënien. Kursi mesatar i këmbimit ra me 7.4% krahasuar me një vit më parë. Një euro u këmbye mesatarisht me 100.7 lekë në vitin 2024, nga 108.7 lekë një vit më parë, duke zbritur në nivelin më të ulët historik.

Ndërkohë, Banka e Shqipërisë bleu afërsisht 933 milion euro në tregun e brendshëm valutor më 2024-ën. Të dhënat finale të publikuara nga Banka Qendrore treguan se blerjet e valutës vitin e kaluar arritën vlerat më të larta historike. Sasia e valutës së blerë është rritur me 249% krahasuar me një vit më parë. Por, edhe këto blerje nuk arritën të frenojnë rënien e euros.

Megjithatë, deficiti në llogarinë korrente vazhdon të mbulohet nga flukset hyrëse në llogarinë financiare e kryesisht investimet e huaja direkte. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ato shënuan vlerën e 1.58 miliardë eurove, në rritje me 5.6% krahasuar me një vit më parë./Monitor