Bota

“Demokracia nuk cenohet nga dhuna”/Liderë botërorë reagojnë ndaj të shtënave në eventin e Trump-it!

Udhëheqësit nga e gjithë bota dënuan incidentin e së shtunës në Washington Hilton, ku gjatë darkës së korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë u dëgjuan të shtëna me armë. Presidenti amerikan, Donald Trump, Zonja e Parë Melania dhe zyrtarë të lartë u evakuuan menjëherë, ndërsa një oficer i Shërbimit Sekret u plagos lehtë falë jelekut antiplumb.

Kryeministri kanadez, Mark Carney reagoi në platformën X duke thënë se ishte i lehtësuar që presidenti dhe të ftuarit janë të sigurt, teksa shtoi se “dhuna politike nuk ka vend në asnjë demokraci”.

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, u shpreh se është mirë që Trump dhe bashkëshortja e tij janë të padëmtuar, duke theksuar:

Dhuna nuk duhet të jetë kurrë rruga.

Nga Australia, kryeministri Anthony Albanese përgëzoi Shërbimin Sekret për reagimin e shpejtë.

Ne duartrokasim punën e Shërbimit Sekret dhe agjencive të zbatimit të ligjit për veprimin e tyre të shpejtë.

Ndërsa ambasadori britanik në SHBA, Christian Turner, i pranishëm në sallë, falënderoi agjentët për profesionalizmin dhe uroi shërim të shpejtë për oficerin e plagosur.

I dyshuari, Cole Tomas Allen, 31 vjeç nga Kalifornia, ndodhet në paraburgim dhe po vlerësohet në një spital lokal.

Autoritetet nisën hetimet për të zbuluar motivet e sulmit, ndërsa liderët botërorë dërguan mesazhe solidariteti dhe kanë theksuar se demokracia nuk mund të cenohet nga aktet e dhunës.