Gossip Showbiz

Dështim për prokurorët në gjyqin e Diddy-t: Tërheqin disa nga akuzat më të rënda?

Vetëm një ditë para se të mbahen argumentet përfundimtare në gjyqin e shumëpërfolur të Diddy-t në New York, prokurorët kanë bërë një hap prapa, duke u tërhequr nga disa prej akuzave më serioze ndaj tij.

Sipas dokumenteve të gjykatës, tashmë nuk do të ndiqen më akuzat për rrëmbim, tentativë për zjarrvënie dhe për ndihmë apo mbështetje në trafikimin seksual.

Në fokus të këtyre akuzave ishin incidentet e pretenduara ndaj ish-punonjëses Capricorn Clark – e cila dyshohet se u çua në një magazinë për t’iu nënshtruar një testi me detektor gënjeshtre pasi dyshohej për vjedhje – si dhe ndaj këngëtares Cassie, që sipas kallëzimeve, ishte mbajtur me forcë në një hotel në Londër.

Megjithatë, prokurorët nuk kanë arritur të sigurojnë prova të mjaftueshme për t’i qëndruar këtyre pretendimeve në gjykatë.

Një tjetër tërheqje befasuese është ajo që lidhet me pretendimin se Diddy dogji makinën e reperit Kid Cudi nga xhelozia. Gjatë procesit, nuk u paraqitën dëshmi që e lidhin drejtpërdrejt artistin me zjarrvënien, ndaj kjo akuzë gjithashtu u hoq.

Pavarësisht tërheqjes nga disa pika, procesi ndaj Diddy vijon me intensitet. Akuzat për trafikim seksual mbeten ende në lojë, edhe pse tani janë më të kufizuara – konkretisht është hequr vetëm elementi që lidhet me ndihmën dhe mbështetjen në këtë krim.

Ndërkohë, prokurorët kanë kërkuar që juria të udhëzohet qartë mbi disa aspekte ligjore: fakti që një grua ka dhënë pëlqim për marrëdhënie intime në të kaluarën nuk do të thotë se ajo nuk mund ta tërheqë këtë pëlqim më vonë.

Po ashtu, marrja e pagesës nuk përjashton mundësinë që një grua të jetë shfrytëzuar apo detyruar.

Ata nënvizojnë se trafikimi seksual nuk kërkon domosdoshmërisht dhunë fizike apo pagesë për akte seksuale – mjafton që të ketë pasur presion, manipulim apo mungesë të vullnetit të lirë.

Tashmë, me argumentet përmbyllëse në prag, sytë e publikut dhe mediave janë të drejtuar nga juria, e cila pritet të vendosë për fatin e një prej emrave më të fuqishëm në industrinë e muzikës.