Gossip Showbiz

Kid Cudi dëshmon në gjyqin kundër Diddy-t: “Makina ime u dogj pasi zbuloi lidhjen time me Cassie”

Reperi i njohur amerikan, Kid Cudi (emri i vërtetë Scott Mescudi), ka dhënë së fundmi një dëshmi tronditëse në gjykatën e Manhattan-it, në kuadër të procesit gjyqësor kundër Sean “Diddy” Combs, i akuzuar për trafikim seksual dhe sjellje abuzive.

Gjatë dëshmisë së tij, Cudi tregoi një episod të errët nga viti 2011, kur kishte nisur një lidhje me këngëtaren Cassie Ventura – ish-partnerja e Diddy-t. Sipas tij, situata mori për keq kur Diddy zbuloi lidhjen e tyre.

Cassie më telefonoi e shqetësuar dhe më tha se Diddy e kishte marrë vesh për lidhjen tonë dhe dinte ku jetoja

-deklaroi Cudi para gjykatësve.

Kur reperi u kthye në shtëpinë e tij në Hollywood Hills, gjeti dhuratat e hapura, qenin e mbyllur në banjo dhe shenja të qarta se dikush kishte hyrë pa leje.

Ai raportoi ngjarjen në polici, por lidhja me Cassie përfundoi pak kohë më vonë.

Incidenti më i rëndë ndodhi në janar të vitit 2012, kur kujdestarja e qenit të tij e informoi se makina e tij ishte përfshirë nga flakët, teksa qëndronte e parkuar në oborr.

Shkaku mbetet ende mister, por ngjarja u përmend edhe në padinë civile të ngritur nga vetë Cassie në vitin 2023.

Në atë padi, Ventura pretendonte se Diddy kishte urdhëruar djegien e makinës së Cudi-t si akt hakmarrjeje për lidhjen që kishin pasur.

Ndërkohë, Sean “Diddy” Combs ka mohuar vazhdimisht të gjitha akuzat ndaj tij, duke i cilësuar si të pavërteta dhe të motivuara nga qëllime dashakeqe.