Rajoni

Dështon përpjekja e radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës!

Deputetët dështuan sërish të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, duke mos arritur të bien dakord rreth formimit të një komisioni për votim të fshehtë të kandidates për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu. Në sallë ishin 95 ligjvënës.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku akuzoi drejtuesin e seancës, Avni Dehari për abuzim me detyrën, pasi ftoi partitë të propozonin nga një anëtar në komisionin për votim të fshehtë.

Hymete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i kërkoi Deharit që t’i kthehet rendit të ditës me votim të hapur. Për të dyja këto parti politike, si dhe të tjera subjekte më të vogla, ndryshimi i mënyrës së votimit nga e hapur në të fshehtë, nuk është kushtetuese.

Hera e 39-të që deputetët u mblodhën në sallën e Kuvendit prej 15 prillit, ndonëse sot vazhduan seancën e 38-të të së premtes, në të cilën nuk votuan. Përfaqësuesit e partive politike u mblodhën dje e diskutuan mbi dy orë. Në fund, vazhduan të fajësojnë njëri-tjetrin për situatën aktuale. Palët u takuan pasi ditë më parë Gjykata Kushtetuese doli me një vendim që i detyron deputetët të finalizojnë procesin e konstituimit deri më 26 korrik.

Kuvendi vazhdon të mos jetë plotësisht i konstituuar pasi partitë politike nuk kanë arritur dakordësi për emrin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me postin e kryeparlamentarit, si dhe për ndryshimin e mënyrës së votimit, nga të hapur në të fshehtë.

Dallime në qëndrime

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njëherazi kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) e që ka fituar më shumë vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, foli pas takimit të djeshëm e tha se beson që Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) janë duke e “keqlexuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”. Kurti bëri të ditur se ka ofruar ato që i përshkroi si dy kompromise:

Kompromisi i parë ishte ai që e ka thënë edhe kandidatja jonë e propozuar për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila tha se në rast të votimit të fshehtë nuk i merr së paku 61 vota, tërhiqet nga kandidatura. Ajo këtë e ka bërë njëanshëm, por unë e respektoj vendimin e saj. Ajo nuk dëshiron të votohet për dy herë me votim të fshehtë.

Kompromisi i dytë ishte që ta bëjmë një marrëveshje politike lidhur me nenin 67 të Kushtetutës, e që është marrëveshje në paketë për kryetarin dhe nënkryetarët, dhe pastaj nëse nuk e duan kurrqysh votimin e fshehtë, le t’i delegojnë përfaqësuesit e tyre në këtë komision për votim të fshehtë, të cilin mund ta rrëzojmë me votë, sepse procesi ka mbetur në gjysmë. Ne aty e kemi deleguar Hekuran Muratin, le t’i delegojnë edhe tjerët, edhe pastaj e rrëzojmë, që më pas kryetarja dhe nënkryetarët të votohen në paketë.