Rajoni

Kosovë, deputetët me dakordësi që ta shtyjnë seancën e konstituimit të Kuvendit!

Deputetët e zgjedhur të Kosovës ranë dakord ta shtyjnë vazhdimin e sotëm të seancës së konstituimit të Kuvendit, për të dielën e 29 qershori pasi dje, Gjykata Kushtetuese i detyroi të përmbyllin konstituimin e parlamentit brenda 30 ditëve. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari nga Vetëvendosje, tha se ky vendim u mor pas një takimi konsultues mes përfaqësuesve të të gjitha partive parlamentare.

Po ashtu, ky vendim vjen pas ftesës që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, iu bëri drejtuesve të partive të tjera parlamentare për zhvillimin e një takimi nesër, në përpjekje për të gjetur një marrëveshje politike.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, vuri në dukje se do të shkojnë në takimin me Kurtin. Limaj tha:

Nuk mund të ketë rrugëdalje tjetër përpos bashkëpunimit në mes të partive politike. Gjykata Kushtetuese ka thënë qartë se zgjidhja e situatës është përgjegjësi e partive politike.

Siç dihet, bllokada në Kuvend vjen pasi asnjë parti nuk fitoi shumicën për të qeverisur e vetme më 9 shkurt, si dhe ka mungesë marrëveshjeje politike mes tyre për të krijuar një shumicë të përbashkët. Vetëvendosje doli e para duke fituar 48 vende, 13 më pak se të paktën 61 të nevojshme ta formuar qeverinë e re e vetme. PDK-ja siguroi vendin e dytë me 24 deputetë, LDK-ja e treta me 20, AAK-Nisma me 8 dhe Lista Serbe me 9.

Më herët, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u zotua të tërhiqet nëse deputetët nuk e votojnë në votim të fshehtë. Duke folur në një konferencë për media para seancës së konstituimit, Haxhiu iu bëri thirrje partive parlamentare të votojnë për formimin e një komisioni për votim të fshehtë për kryeparlamentarin.

Nëse unë, si kandidate e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk i marr së paku 61 vota, tërhiqen nga kandidatura për kryetare të Kuvendit.