Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, paralajmëron padi ndaj zv.kryeministrit Besnik Bislimi, ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministrit të Financave, Punës e Transfertave, Hekuran Murati, pas përleshjeve fizike sot në seancë plenare. Në një konferencë për media në hollin e Kuvendit, Lushtaku foli për një “aksion politik” pas përgjimeve të publikuara.
Ditët e fundit, opozita ka qenë kritike ndaj qeverisë pasi në mediat në Kosovë dolën përgjime të shefes së grupit të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ku pranonte se ka biseduar me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiç. Zyrtarisht, partia në pushtet ka qenë kritike ndaj personave që kanë mbajtur kontakte me Radoiçiçin. Ai kërkohet nga autoritetet e Kosovës dhe gjithashtu rezulton në listën e zezë të SHBA-ve për “përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar”.
Lushtaku deklaroi se u godit me shishe të mbushur me ujë nga zv.kryeministri Bislimi, u shty nga ministrja Haxhiu dhe u godit me një send të fortë nga ministri Murati.
Asnjëherë nuk kisha në plan të kisha një reagim të dhunshëm. Veprimi im ka qenë politik dhe si i tillë kam vepruar me gjuajtje të ujit. Mendoj se të gjithë kanë nevojë për një freskim, sidomos kjo qeveri që më së shumti po i konvenon Serbisë dhe Rusisë se vet Kosovës e strategjisë kombëtare. Unë do të padis këta njerëz të sipërpërmendur dhe sigurisht që organet do të japin fjalën e tyre.
Kryeministri Albin Kurti ishte duke folur në foltore për situatën në veri të Kosovës kur fjalimi i tij u ndërpre nga deputetët e opozitës që brohorisnin “rrenc”, duke e etiketuar si gënjeshtar.
Më pas, Lushtaku iu afrua foltores dhe gjuajti me ujë, veprim që u pasua nga përleshje fizike mes deputetëve të PDK-së e pjesëtarëve të kabinetit qeverisës. Për shkak të situatës së krijuar, Kuvendi i Kosovës ndërpreu punimet. Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se nuk ka kushte për të vazhduar seancën.