I dërguari i Bashkimit Europian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, tha se fokusi i kësaj jave në Bruksel do të jetë te takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur në luftën e fundit në Kosovë. Në postimin në Facebook, Lajçak nuk dha ndonjë datë konkrete për takimin.
Ky komision është pjesë e Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë arritur në vitin 2023, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Megjithatë kanë mbetur pa u zbatuar zotimet që përfshin, si aksesi i plotë në informacione të besueshme, vënia në dispozicion e të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur dhe puna e përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga BE-ja.
Në takimin e fundit në Bruksel, më 17 dhjetor të vitit të kaluar, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviç vunë në dukje se janë pajtuar për zbatimin e plotë të Deklaratës për personat e zhdukur.
Bislimi konfirmoi se Komisioni i Përbashkët do të fillojë të merret me çështjet në fjalë që nga janari.
Ka premtime nga Serbia se nuk do të ketë tendenca që të pengohet puna e këtij komisioni në të ardhmen.
Petkoviç u shpreh se është ndërmarrë “hapi i fundit i nevojshëm” për çështjen e personave të zhdukur.
Kemi Deklaratën, kemi rregulloren e punës dhe tani kemi rënë dakord për një komision të përbashkët që do të mbështesë grupin e punës e që deri tani, e kryeson Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.
Sipas Kryqit të Kuq, ende janë 1.612 persona të pagjetur nga lufta e viteve 1998/99 në Kosovë, shumica shqiptarë. Kosova dhe Serbia, vazhdimisht kanë bërë përgjegjëse njëra-tjetrën për mungesën e përparimit në kërkimin e të zhdukurve. Varreza e fundit masive është zbuluar në vitin 2020 në vendin e ish-minierës Kizhevak, afër Rashkës, në jug të Serbisë. Ka qenë varreza e pestë masive që është zbuluar në territorin e Serbisë që nga viti 2001.
Para gjykatave në Serbi, deri tani nga askush nuk është mbajtur përgjegjësi lidhur me lëvizjen dhe fshehjen e trupave të shqiptarëve të Kosovës.