Sean “Diddy” Combs ka kërkuar nga një gjyqtar federal që të transferohet nga Qendra Metropolitan e Paraburgimit (MDC) në Brooklyn, duke e përshkruar qëndrimin e tij aktual si “të padurueshëm dhe të pasigurt”.
Manjati 55-vjeçar i muzikës, i dënuar me katër vjet burg për transportimin e grave përtej kufijve shtetërorë për prostitucion, kërkon që pjesën tjetër të dënimit ta vuajë në FCI Fort Dix, një institucion me siguri të ulët në New Jersey, i njohur për programet rehabilituese dhe arsimore.
Sipas kërkesës së dorëzuar nga avokatja Teny Geragos, mbrojtja e Diddy-t ka kërkuar që gjykata të rekomandojë transferimin, në mënyrë që ai të mund të marrë pjesë në Programin e Trajtimit të Abuzimit me Drogë në Rezidencë (RDAP) dhe në aktivitete të tjera edukative.
Në dokument thuhet se qëndrimi në Fort Dix do ta ndihmonte artistin të fokusohej në rehabilitim dhe të kishte më shumë mundësi për vizita familjare.
Aktualisht, Diddy ndodhet në Njësinë Speciale të Strehimit në MDC Brooklyn – një mjedis i izoluar dhe i njohur për kushte të vështira.
Në një letër drejtuar gjykatës, ai e përshkroi përditshmërinë e tij si “çnjerëzore”, duke përmendur mungesën e ujit të pijshëm dhe hapësirës së jetesës.
Humba rrugën. U humba në udhëtimin tim. I humbur në drogë dhe tepri
-tha Diddy gjatë seancës së dënimit, duke shtuar se kjo është periudha e parë në 25 vjet që ai ka qenë plotësisht i kthjellët.
FCI Fort Dix, i vendosur në bazën ajrore McGuire në New Jersey, strehon rreth 4,000 të burgosur dhe njihet për qasjen rehabilituese, me këshillim psikologjik, programe pune dhe trajnime profesionale.
Megjithatë, sipas konsulentit federal të burgjeve Sam Mangel, Diddy nuk kualifikohet për programin RDAP, pasi personat e dënuar për akuza seksuale përjashtohen nga pjesëmarrja.
Sipas Mangel, artisti mund të ndjekë vetëm kurse jo-rezidenciale më të shkurtra, të cilat nuk do të ndikojnë në uljen e dënimit të tij.