Reperi dhe producenti i njohur amerikan, Sean “Diddy” Combs, është dënuar me katër vjet e dy muaj burg pas një procesi të gjatë gjyqësor që ka tërhequr vëmendjen e mediave në mbarë botën.
Vendimi u shpall të premten, më 3 tetor, në një gjykatë të Manhattan-it, duke i dhënë fund një prej çështjeve më të përfolura të viteve të fundit në industrinë muzikore amerikane.
Sipas vendimit, Combs, 55 vjeç, u shpall fajtor për dy akuza të transportit me qëllim përfshirjen në prostitucion. Secila prej akuzave mbante një maksimum prej 10 vitesh burg, por gjykata vendosi një dënim të kombinuar prej 50 muajsh.
Kjo do të thotë se artisti do të duhet të vuajë pas hekurave më shumë se katër vite.
Megjithatë, juria e shpalli të pafajshëm për disa nga akuzat më të rënda, përfshirë komplotin për zhvatje dhe dy akuza për trafikim seksual.
Avokati i tij, Marc Agnifilo, e cilësoi vendimin si të padrejtë dhe theksoi se klienti i tij “është një njeri me të metat e tij, por jo një kriminel”. Ai shtoi se Diddy ka qenë “gjithmonë i hapur” dhe do të luftojë për të pastruar emrin e tij.
Vendimi gjyqësor ka shkaktuar reagime të shumta në media dhe rrjete sociale, duke rihapur debatin mbi jetën private të yjeve të muzikës, ndikimin e tyre tek publiku dhe përgjegjësinë që mbajnë si figura publike.