Zyrtarët shpresojnë të tërheqin investime të huaja me një qendër financiare pranë brigjeve të “Ishullit të Zotave”. Miliona njerëz shkojnë në Bali çdo vit, në të ashtuquajturin “Ishulli i Zotave”, i njohur për plazhet dhe tarracat e tij të orizit dhe, nëse qeveria ia del, edhe për një qendër financiare pa taksa.
Me qindra fluturime çdo ditë nga dhjetëra destinacione, Indonezia po vë bast se ishulli i saj më i njohur mund të jetë më tërheqës për investitorët sesa kryeqyteti i saj i populluar, Xhakarta, qyteti më i madh në botë.
Kandidatja kryesore për këtë qendër është Zona e Posaçme Ekonomike Kura Kura, në një ishull pranë bregdetit të Balit.
Do të zbatohen ligjet e zakonshme. Paratë mund të vijnë nga jashtë, nuk do t’i taksoj, tha ministri i Financave, Purbaya Yudhi Sadewa.
Ajo që do të krijojmë është si ajo në Dubai, referuar Qendrës Financiare Ndërkombëtare të Dubait, pa dhënë detaje për afatet kohore.
DIFC që ka sistemin e saj rregullator, është vendosur si qendra dominuese për bankat ndërkombëtare që operojnë në Lindjen e Mesme.
Paratë e investuara në qendrën financiare të Balit mund të përdoren për të financuar projekte kombëtare “me perspektivë të mirë”, iniciativa në kuadër të fondit sovran Danantara ose në letra me vlerë të qeverisë, tha Purbaya.
Kjo do të forconte burimin e financimit të zhvillimit për sektorin privat dhe qeverinë. Megjithatë, nuk është e qartë nëse qeveria do të drejtojë në mënyrë të drejtpërdrejtë një pjesë të investimeve drejt projekteve të caktuara, gjë e pazakontë për qendrat financiare.
Një qendër financiare në Bali mund të rrisë “atraktivitetin për flukset globale të investimeve drejt Indonezisë”, tha Friderica Widyasari Dewi, drejtuese e Autoritetit të Shërbimeve Financiare.
Presidenti indonezian, Prabowo Subianto, po përpiqet të tërheqë më shumë kapital ndërkombëtar, ndërsa shqetësimet për stabilitetin ekonomik dhe fiskal të vendit po shtohen nën drejtimin e tij.
Vitin e kaluar, vendi regjistroi deficit fiskal prej 2.92%, vetëm pak nën kufirin ligjor prej 3%. Investimet e huaja janë gjithashtu thelbësore për të përmbushur objektivin ambicioz të Prabowos për ta rritur ekonominë në 8%, nga niveli aktual prej 5.
Indonezia është vënë gjithashtu nën vëzhgim muajt e fundit për qeverisjen e tregjeve të kapitalit, pasi ofruesi i indekseve MSCI paralajmëroi se mund ta ulë ekonominë më të madhe të Azisë Juglindore në statusin e tregut “frontier”.
Një qendër e re financiare mund ta ndihmojë qeverinë të kthejë mbrapsht daljet e kapitalit të nxitura nga “mosbesimi”, tha M Rizal Taufikurrahman, drejtues i qendrës për makroekonomi dhe financë në Institutin për Zhvillimin e Ekonomisë dhe Financave.
Është një strategji interesante e qeverisë për të tërhequr flukse kapitali afatmesme deri afatgjata, sidomos në një kohë presioni.
Megjithatë, ekspertët kanë shprehur shqetësime për infrastrukturën urbane dhe dixhitale të Balit, mjedisin rregullator dhe mungesën e talenteve në industrinë e shërbimeve financiare.
Pa siguri ligjore dhe stabilitet makroekonomik, Bali “mund të shfrytëzohet si parajsë fiskale”, tha Wijayanto Samirin, ekonomist në Universitetin Paramadina.
Koha është e përshtatshme… sidomos me Lindjen e Mesme që aktualisht është në trazira, u shpreh Wijayanto. Por, duke pasur parasysh pikëpyetjet makroekonomike, “sfidat tona mbeten ende të jashtëzakonshme”.
Ishulli i Zotave është përballur gjithashtu me probleme nga turizmi i tepruar. Rreth 7 milion vizitorë të huaj shkuan në ishull vitin e kaluar, sipas të dhënave zyrtare, pothuajse gjysma e totalit kombëtar. Në vitin 2024, Indonezia prezantoi edhe një “vizë për punonjësit në distancë”, që synonte të akomodonte nomadët dixhitalë.
Në shtator, qeveria e Balit njoftoi moratorium për ndërtimin e hoteleve dhe vilave në disa zona, në përpjekje për të ngadalësuar zgjerimin e vrullshëm të industrisë, i cili ka krijuar probleme mjedisore si përmbytjet.
Pavarësisht problemeve, I Putu Saptajaya, një planifikues financiar nga Bali, tha se ishulli ishte në një pozicion të fortë për të pritur një qendër financiare për shkak të “aksesueshmërisë”. Aeroporti i tij aktualisht shërben 42 linja ndërkombëtare nga disa kontinente.
Megjithatë, që kjo të funksionojë, [ajo] duhet të jetë konkurruese me qendrat e tjera financiare ndërkombëtare sa i përket lehtësisë së të bërit biznes, qartësisë ligjore, transparencës dhe ekosistemit brenda saj./Monitor