E ftuar në emisionin “Vitality Vibes” këtë javë me Ilvi Begollin ka qenë Dr. Alkerta Ibranji, alergologe-imunologe për të diskutuar më shumë në lidhje me alergjitë që tani me ndryshimin e stinës dhe me ardhjen e dimrit që prekin shumë njerëz dhe jo vetëm kaq…
Me ndryshimin e motit së fundit, luhatjet e temperaturave, me rrufën dhe kollën sipas doktoreshës cili është trendi i pacientëve që preken nga alergjitë e këtyre ndryshimeve të kohës dhe stinës. Çfarë vëren doktoresha?
Është e vërtetë. Vjeshta dhe dimri sigurisht që vijnë me viroza dhe me luhatjet e temperaturave. Te pacientët alergjikë ndaj pluhurit të shtëpisë dhe sporet e mykrave, ata e dinë, vijnë dhe ‘blindohen’ paraprakisht tek alergologu për të marrë një paramjekim të mirë sepse e dinë që çdo vit nëse nuk bëjnë këtë gjë patjetër që azmat dhe alergjitë e tyre rëndohen, por virozat nga ana tjetër shërbejnë si hapi i parë i fillimit të një azme apo të një alergjie tek pacientët, të cilët ndoshta nuk e kanë pasur më parë një simptomë që mund të të bëjë që të dyshosh për një alergji.
Situata tani është me vizita plot, ku diferencojmë nëse është virozë apo është alergji. Te pacientët që ne e dimë se ka alergji shikojmë se në çfarë stadi jemi që të parandalojmë çdo lloj përkeqësimi të mundshëm.