Ambasada amerikane në Kuvajt u bëri thirrje njerëzve që të shmangin selinë diplomatike të Uashingtonit atje e të strehohen në shtëpi.
Mos ejani në ambasadë, thuhet në udhëzimet e publikuara në faqen e saj të internetit. Strehoni në banesën tuaj, në katin më të ulët të disponueshëm dhe larg dritareve. Mos dilni jashtë!
Ambasada u bëri thirrje edhe qytetarëve amerikanë në Kuvajt, “të strehohen në vend të sigurt, t’i rishikojnë planet e sigurisë në rast sulmi e të qëndrojnë vigjilentë në rast sulmesh të mëtejshme në të ardhmen”.
Më herët, pamjet e shpërndara nga agjencia e lajmeve AFP treguan tym të zi pranë Ambasadës amerikane në Kuvajt. Zjarrfikësit dhe autoambulancat janë parë në zonë, raporton Reuters.

Me një deklaratë të përbashkët, Shtetet e Bashkuara, Bahrejni, Jordania, Kuvajti, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dënuan fuqishëm ato që i cilësuan “sulme të papërgjegjshme me raketa dhe dronë të Iranit ndaj territoreve sovrane në rajon”.
Më herët, Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit, i udhëhequr nga Arabia Saudite, dënoi Teheranin për goditjet ndaj shteteve anëtare e theksoi “të drejtën për të reaguar”.
Kryetari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Larijani, tha se Teherani “nuk do të negociojë” me Uashingtonin. Komentet i bëri pasi presidenti Trump, u zotua se do të vazhdojë t’i ndëshkojë “terroristët” me “forcën e plotë” të ushtrisë amerikane. Në X, Larijani shkroi:
Ne nuk negociojmë me Shtetet e Bashkuara. Sot, kombi iranian po mbron veten.