Aktualitet

Disa lumenj dalin nga shtrati, akse të bllokuara e mungesë energjie. Rrëshqitja e dherave u afrohet banesave në Mirditë, këto janë zonat më problematike

Vendi ynë ka hyrë në ditën e gjashtë të përmbytjeve, ku situata vijon të jetë e vështirë në disa zona.

Qarku i Durrësit, Fieri, Lezha, Gjirokastra e Vlora kanë ndër më të prekurit nga reshjet e shiut të ditëve të fundit.

11 Janar 2026

17:29 Video/ Trafik i rënduar nga Dajti në Tiranë, qindra automjete mbesin të bllokuara në rrugë

Edhe pse në temperatura të ulëta, këtë të diel me diell shumë qytetarë iu drejtuan malit të Dajtit për të shijuar dëborën. Sikurse duket nga pamjet, me qindra automjete kanë mbetur të bllokuara në kthim për shkak të trafikut të rënduar.

16:10 “Do merren masa ligjore”, Rama për përmbytjet: Kemi gati planin me të gjithë skenarët për dëmshpërblimin

Kreu i qeverisës Edi Rama, gjatë podkastit ‘Flasim’, duke u ndalur te përmbytjet që kanë përfshirë vendin, u shpreh se do të merren masa ligjor ndaj personave që hedhin plehrat jo në zonat e caktuara.

15:55 Dëme nga rrëshqitjet në Gjirokastër, toka në disa lagje të qytetit rrëshqet duke sjellë shqetësim për banorët

Rruga që lidh tre lagje në zonën pas Kalasë Argjiro në Gjirokastër është bllokuar si pasojë e një rrëshqitjeje të madhe dheu, duke vështirësuar ndjeshëm jetën e përditshme për dhjetëra e qindra banorë.

13:19 Rreth 120 banesa të prekura nga përmbytjet në Ferras, grupet e verifikimit zbresin në terren për konstatimin e dëmeve

Katër grupe komisionesh verifikimi kanë dalë në terren paraditen e sotme në fshatin Ferras për të konstatuar dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e ditëve të fundit.

12:26 Paralizohet prej dëborës aksi Librazhd-Peshkopi, dhjetëra qytetarë bllokohen me mjetet e tyre në kthesën e Lunikut

Për shkak të reshjeve me intensitet të lartë të dëborës, aksi Librazhd-peshkopi është bllokuar.

12:12 Reshjet e shiut dhe dëborës, dëmtohet banesa e familjes me 8 anëtarë në Vilë të Bushtricës

Reshjet e shiut e borës kanë shkaktuar dëme në një banesë dykatëshe, që i përket familjes së Naim Dragjoshit.

12:10 Reshjet e dendura të dëborës në qarkun e Kukësit, dhjetëra fshatra të bllokuara

Reshjet e dendura të borës kanë sjellë vështirësi të shumta për banorët e zonave të thella malore në qarkun e Kukësit.

12:06 Rrëshqitja e dherave dhe gurëve në shpatin e malit, prej 4 ditësh 250 banorë të fshatit Bashaj të izoluar

Prej 4 ditësh 250 banorë të fshatit Bashaj vijojnë të jenë të izoluar.

12:02 Dalja e lumit Seman nga shtrati, përmbyten stallat e bagëtive dhe pularive, fermerët apel për ndihmë

Lumi Seman ka dalë nga shtrati në fshatin Mbrostar Ura, duke shkaktuar përmbytje të konsiderueshme.

11:56 Prurjet e lumit Vjosë, banorët të frikësuar ‘monitorojnë’ urën e Mifolit: Kërkojmë ndihmë, të hapen kanalet kulluese

Banorët e fshatrave të njësisë administrative Novoselë, kryesisht ata të fshatit Bishan, janë të frikësuar nga prurjet e lumit Vjosë.

10:05 Rrëzohen përsëri shtyllat elektrike në Mirditë prej rrëshqitjes së dherave, avancimi i gërryerjes po shkon drejt banesave, kërkohet ndërhyrje urgjente

Si pasojë e vazhdimit të gërryerjes së tokës bujqësore në Zall – Donaj nga Lumi Fan i Vogël, rreth orës 00:00 janë rrëzuar përsëri shtyllat elektrike të TM, të spostuara një ditë më parë nga OSHEE, pasi gërryerja ka avancuar duke kaluar vendin e spostimit, duke lënë pa energji fshatin Ndërfanë, Gëziq, Kalanjan, Cekaj. Avancimi i gërryerjes po shkon drejt rrugës së fshatit dhe banesave.

09:46 Lumi Seman dhe Shkumbin dalin nga shtrati, preken rreth 20 banesa

Prurjet në lumenjtë Seman janë kuota të larta, ndërsa ky lum ka dalë nga shtrati në fshatin Murriz, Njësia Administrative Fiershegan, Bashkia Lushnje dhe ka prezencë uji në oborret e banesave.

09:37 Reshje dëbore me intensitet të lartë në qarkun e Elbasan, aksi Librazhd-Peshkopi i pakalueshëm, pa energji elektrike disa zona

Në qarkun e Elbasanit gjatë gjithë natës ka pasur reshje dëbore me intensitet të lartë në zonat malore.

09:35 Moti i keq/ 525 hektarë tokë bujqësore në qarkun e Shkodrës me prezencë uji, cilat janë zonat më problematike

Situata hidrologjike në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet e qëndrueshme dhe nën monitorim të vazhdueshëm, me nivele uji nën kuotat kritike dhe pa banesa me prezencë uji në brendësi të tyre.

09:21 Pa energji elektrike dhe me disa akse dhe rrugë të bllokuara, situatë problematike në qarkun e Dibrës

Moti gjatë natës në qarkun e Dibrës është shoqëruar me reshje dëbore, të cilat në Preshkopi kanë arritur nga 13-25-40 cm, ndërsa vijojnë aktualisht reshje të pakta dëbore.

09:00 Rreth 600 familje në fshatrat e qarkut Korçë pa energji elektrike, si paraqitet situata me akset rrugore

Rreth 600 abonentë ruralë në qarkun e Korçës aktualisht janë pa energji elektrike pasi 6 fidera janë të stakuar, ndërsa nuk ka mungesë energjie në zonat urbane.

08:47 Lumi Erzen në monitorim pas rritjes së nivelit të ujit, si paraqitet situata këtë të diel në qarkun e Durrësit

Gjatë natës ka pasur prani të reshjeve të shiut me intensitet shumë të ulët.  Strukturat operacionale dhe ato të emergjencave ndodhen në terren dhe po e ndjekin situatën në mënyrë të pandërprerë, në koordinim me Shtabin e Emergjencave Civile.

08:00 Vjosa del sërish nga shtrati pranë Urës së Mifolit, rrezik rritjeje deri në 9 metra

Lumi Vjosa ka dalë sërish nga shtrati pranë Urës së Mifolit. Niveli i ujit ka shkuar në 7.45 metra, duke sjellë përsëri përmbytjen e tregut te kafshëve poshtë urës së Mifolit.