Sot është dita e gjashtë e rinumërimit të votave për partitë dhe kandidatët për qarkun e Tiranës. Procesi pritet të nisë në orën 09:00. Deri tani janë hapur 606 kuti nga 1 mijë e 282 në total. Partia Demokratike vijon të ketë më shumë vota të pameritura (309), e ndjekur nga PS-ja me 223, Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet me 33 vota, PSD-ja 25, 17 Lëvizja Bashkë dhe 12 Partia Mundësia. Këto vota iu zbriten nga numërimi fillestar.
Ndërkohë, Koalicionit Euroatlantik të Lulzim Bashës i shtohen 20 vota, që rezultojnë se i janë marrë nga numërimi i parë. Koalicionit Djathtas për Zhvillim i shkojnë 7 të tilla. 49 vota të pamerituara ka edhe Ilir Meta, ndërsa Jorida Tabaku, 65, por që nuk përbëjnë një ndryshim në rezultatin e mandatit të fituar përballë Alimehmetit.
Në PS, 256 vota pa meritë i ka ministri Ervin Hoxha, 130 Xhemal Qefalia, 125 Fatmir Xhafaj. Këto vota iu zbriten nga rezultati i numërimit të parë. Olta Xhaçka, e cila fitoi mandatin me një diferencë të vogël me Blerina Gjylametin, ka 46 vota pa meritë. Gjylameti vetëm 1. Deri më tani këto rezultate nuk prodhojnë një ndryshim në rezultate, por pritet hapja e të gjitha kutive.