Sot Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, e shpallur nga UNESCO dhe shënohet më 21 shkurt të çdo viti. Qëllimi i caktimit të saj është promovimi e ndërgjegjësimi për diversitetin gjuhësor e kulturor, si edhe promovimin e shumëgjuhësisë.
Në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, kryeministri Edi Rama ndau momente nga nisja e fazës gjysmëfinale në shkolla të “Konkursit të Gjuhës Shqipe”. Këtë konkurs, Rama e cilësoi “fije të artë që lidh fillesat e kombit tonë me të ardhmen e tij”.
Në këtë edicion morën pjesë 1 mijë e 22 ekipe nga shkolla të ndryshme të gjithë vendit, një tregues i interesit të lartë dhe angazhimit të nxënësve e mësuesve për ruajtjen dhe pasurimin e gjuhës amtare.
Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe synon të forcojë aftësitë gjuhësore të nxënësve dhe të kultivojë krenarinë për gjuhën shqipe, duke e kthyer atë në një urë lidhëse mes dijes, kulturës dhe identitetit kombëtar.
Me rastin e kësaj dite, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përcolli një mesazh mbi rëndësinë e ruajtjes së shqipes.
Në profilin zyrtar në Facebook, publikoi video-mesazhin me poezinë “Gjuha shqype”, të interpretuar nga nxënës të 9-vjeçares “Selim Alliu” në Peshkopi, shkollë që është fituesja aktuale e konkursit kombëtar të Gjuhës Shqipe.
Krenar për gjuhën tonë amtare shqipe. Ta duam, ta ruajmë, ta përcjellim brez pas brezi dhe ta flasim bukur gjuhën tonë amtare.
Këto vargje të Fishtës, si në kohën kur u shkruan, edhe sot, kanë të njëjtin kumbim për bukurinë e gjuhës shqipe, përcjelljen e saj nga brezi në brez, ruajtjen e gjuhës në vise e fe të ndryshme, si edhe fuqinë e saj si elementi identitar i kombit tonë.