Politikë

“Do ngremë kompaninë publike për naftën”, rritja e çmimeve, Rama: Do të futemi në treg për garanci për qytetarët!

Rritja e çmimit të naftës për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, ishte një nga pikat në të cilat kreu i qeverisë Edi Rama u ndal, gjatë diskutimeve në Asamblenë e PS në njësinë 4 në Tiranë.

Sipas Ramës rritja e çmimit të naftës është si pasojë e krizës në të gjithë botën për shkak të luftës, por që në tablonë e gjerë nuk shihet vetëm si efekt i krizës.

Rama kujtoi edhe një herë se do të ngrihet një kompanie publike nafte për të garantuar qytetarët që të paguajnë aq sa u takon.

“Detyra jonë është të qeverisim por edhe të informojmë. Sot kemi problem naftën që është goditur në çmim nga kriza, por është problem edhe përtej krizës. Kjo na gjen në kohën kur ne kishim filluar në fakt që do të hynim në tregun e naftës me një faktor shtetëror, me një kompani publike, për të garantuar që qytetarët nuk detyrohen të paguajnë më shumë sesa u takon. Ligji është në konsultim për rezervën që duhet të mbajë shteti. Brenda dy muaj do nxjerrim një tjetër ngjyrues që është i pa manipulueshëm për të formalizuar tregun e naftës. Ka një sasi nafte që është jashtë radarëve të shtetit. Tjetra që ndodh me naftën është naftë tranzit dhe mbetet në Shqipëri në mënyrë ilegale”, tha Rama.

Ai zbuloi se familjarë ose prindër që nuk punojnë dot për shkak se kujdesen për ta do t’u paguhen sigurimet shoqërore nga shteti. Po ashtu për ta do të ketë edhe dyfishim shpërblimi.

“Nuk e kemi pasur mundësinë të rrisim pagat sepse ekonomia nuk na e ka lejuar. Tani kjo po ndodh, jo vetëm në sektorin publik, por edhe privat, ku pagat po rriten në mënyrë të ndjeshme. Po ashtu edhe me pensionet, kemi filluar një proces të pandashëm me rritjen e pensioneve. Në janar u rritën pensionet x, ndërsa janarin që vjen do të jetë dyfish i asaj shifre, në 2028 trefish, 2029 katërfish e kështu me radhë”.