Doja Cat, një nga emrat më të fortë të muzikës pop dhe hip-hop, ka shpallur sot projektin e saj më të madh deri tani: një turne botëror që do të përfshijë kontinente të tëra dhe që mban titullin Tour Ma Vie. Ky turne është krijuar për të promovuar albumin e saj më të ri, Vie, i cili ka hyrë fuqishëm në treg duke gjeneruar debate, entuziazëm dhe një pranim të gjerë nga kritikët. Singlat “Jealous Type” dhe “Gorgeous” janë bërë tashmë hit viral, duke treguar se projekti i saj i pestë diskografik është më shumë se një eksperiment, është një deklaratë.
Turneu nis në fund të vitit 2025 në Australi dhe Zelandë të Re, për të vijuar në Azi, Amerikë Latine, Evropë dhe për t’u finalizuar me një pjesë madhështore në Shtetet e Bashkuara. Një nga datat më të bujshme është ajo e Glasgow, në Skoci, në maj 2026, ku pritet një spektakël që Doja e ka premtuar si “një përvojë vizuale dhe muzikore unike”. Pritshmëritë janë të larta, sidomos pasi artistja ka paralajmëruar skenografi të jashtëzakonshme, koreografi të reja dhe një produksion që do të rivalizojë turnetë më të mëdhenj globalë.
Përveç aspektit muzikor, kjo është një lëvizje që tregon pjekurinë e saj artistike. Doja Cat, shpesh e kritikuar për provokimet e saj në rrjete sociale, këtë herë duket se po e kanalizon energjinë e saj drejt një narrative më të qëndrueshme: një artiste që nuk është vetëm një imazh viral, por një ikonë moderne që di të ndërtojë trashëgimi. Fansat janë të ndarë mes entuziazmit për të parë shfaqjet live dhe kuriozitetit për të zbuluar se çfarë suprizash ka rezervuar ajo për ta.
Turneu “Tour Ma Vie” po shihet nga ekspertët e industrisë si një test kyç për karrierën e saj afatgjatë. Nëse arrin të mbajë suksesin e albumit Vie edhe në skenë, Doja Cat do të kalojë nga fenomen në ikonë të qëndrueshme të muzikës botërore.