Gossip

Dokumentari i ri i Apple TV+ zbardh fjalët e fundit të John Lennon: “Jam i …”

Mitet, legjendat urbane dhe frazat “poetike” që prej më shumë se 40 vitesh kanë rrethuar momentet e fundit të John Lennon bien poshtë në dokumentarin e ri të Apple TV+, “John Lennon: Murder Without a Trial” (John Lennon: Vrasje pa gjyq).

Produksioni tregon në mënyrë të ftohtë dhe të drejtpërdrejtë se fjalët e fundit të ikonës së Beatles nuk ishin as mesazh për botën, as deklaratë filozofike, por vetëm një konstatim i zhveshur nga çdo romantizëm:

Jam i qëlluar.

Sipas dëshmisë së Jay Hastings, portierit të ndërtesës Dakota në Nju Jork, Lennon hyri me vrap në holl, i mbuluar me gjak dhe me syzet e tij të rrumbullakëta ende në fytyrë. Pasi shqiptoi fjalinë e fundit, ai u rrëzua në dysheme dhe nuk foli më.

Hastings tregon se i hoqi syzet dhe i vendosi mbi tavolinën e portës, një detaj që ka mbetur pjesë e pandashme e rrëfimeve për atë natë tragjike.

Yoko Ono, e cila mbërriti mes britmave duke thënë “Merrni një ambulancë!”, ende nuk e kishte kuptuar se jeta e bashkëshortit të saj po shuhej me shpejtësi. Lennon nuk arriti të thoshte më asnjë fjalë.

Dokumentari rikthen në qendër të vëmendjes edhe vrasësin e tij, Mark David Chapman, i cili po kërkon për herë të 14-të lirim me kusht. Këtë herë ai pranon hapur se motivi i tij ka qenë thjesht etja për famë:

Doja të isha i famshëm. Doja të isha dikush. E bëra për veten time dhe vetëm për veten time.

Asnjë motiv ideologjik, as ndonjë “mision” artistik, vetëm dëshira e sëmurë për vëmendje, që e bën humbjen e një prej muzikantëve më të mëdhenj të shekullit XX edhe më absurde dhe tragjike.