Frontmeni legjendar i “The Rolling Stones”, Mick Jagger, ka zbuluar një nga pendimet më të mëdha të jetës së tij, duke pranuar se nuk e takoi kurrë Elvis Presley-n, edhe pse pati mundësinë.
Gjatë një interviste në podcast-in “Conan O’Brien Needs a Friend”, muzikanti 82-vjeçar tregoi se vendosi të mos e takonte ikonën e rock and roll-it pasi dëgjoi një këshillë nga John Lennon.
Sipas Jagger, Lennon i kishte rrëfyer se ishte zhgënjyer pas takimit me Elvis Presley-n në vitin 1965 dhe e kishte këshilluar të mos rrezikonte ta shkatërronte imazhin që kishte krijuar për të.
John më tha: ‘Po të isha në vendin tënd, nuk do ta takoja Elvisin’. E dëgjova dhe vendosa të mos e bëja. Sot mendoj se ishte një vendim shumë i gabuar. Do të doja shumë ta kisha takuar dhe ende pyes veten pse e dëgjova atë këshillë
-u shpreh Jagger.
Ai shpjegoi se në atë periudhë preferoi ta mbante Elvisin si figurën mitike që kishte ndërtuar në imagjinatën e tij, nga frika se një takim i drejtpërdrejtë mund të mos i përmbushte pritshmëritë, ashtu siç kishte ndodhur me Lennonin.
Në të njëjtën intervistë, Jagger foli edhe për rivalitetin historik mes “The Rolling Stones” dhe “The Beatles”, duke theksuar se konkurrenca mes dy grupeve ekzistonte, por ishte ekzagjeruar nga mediat për ta bërë historinë më dramatike.
Ai shtoi se sot raportet mes anëtarëve të dy grupeve janë shumë të mira, gjë që, sipas tij, dëshmohet edhe nga bashkëpunimet e fundit me Paul McCartney.