Ndërsa afrohet 45-vjetori i vrasjes së John Lennon, emri i Mark David Chapman është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes. Vrasësi i ish-anëtarit të Beatles ka rrëfyer në seancën e fundit dëgjimore për lirim me kusht se e kreu krimin për arsye krejt egoiste – “vetëm për të qenë dikush”.
Deklaratat e tij, të publikuara nga New York Post, kanë shkaktuar tronditje dhe indinjatë tek fansat e muzikantit legjendar.
Kjo ishte për mua dhe vetëm për mua. E vrava për shkak të popullaritetit të tij. Krimi im ishte plotësisht egoist
-tha Chapman, tani 70 vjeç.
Më 8 dhjetor 1980, Chapman e qëlloi Lennon katër herë në shpinë jashtë ndërtesës Dakota në Manhattan, ku këngëtari jetonte me Yoko Onon.
Ironikisht, vetëm disa orë më parë ai i kishte kërkuar Lennon të firmoste një kopje të albumit të tij “Double Fantasy”.
Pas krimit, Chapman nuk u largua nga vendngjarja. Ai qëndroi aty, duke lexuar librin “The Catcher in the Rye”, të cilin e kishte përshkruar më vonë si një “udhëzues shpirtëror”, dhe që e kishte shtyrë ta shihte Lennon si një “mashtrues”.
Në dëgjimin e fundit, Chapman shfaqi keqardhje për veprimet e tij, por bordi i lirimit me kusht vendosi sërish ta mbajë në burg, duke deklaruar se “nuk tregoi sinqeritet apo empati të mjaftueshme për viktimën”.
Kërkesa e tij u refuzua për të 14-ën herë radhazi. Chapman po vuan një dënim prej 20 vitesh deri në burgim të përjetshëm në Green Haven Correctional Facility në Nju Jork. Ai do të ketë mundësinë e radhës për të kërkuar lirim me kusht në vitin 2027.
Tragjedia që ndodhi më 1980 vazhdon të mbetet një plagë e hapur në historinë e muzikës moderne – një kujtesë e errët e çmimit të famës dhe obsesionit.