Presidenti amerikan, Donald Trump ka bërë një përjashtim për tarifat e automjeteve për Meksikën dhe Kanadanë për një muaj. Kështu deklaroi sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e cila ka dhënë disa detaje gjatë një konference për shtyp me mediat në Shtëpinë e Bardhë. “Biseduam me tri gjigantët e shitjeve të automjeteve. Do të bëjmë një përjashtim prej një muaji për çdo automjet që kalon përmes USMCA”-tha Trump në një deklaratë të lexuar me zë nga Leavitt.
“Tarifat reciproke do të hyjnë në fuqi më 2 prill. Por, me kërkesë të kompanive që janë të lidhura me USMCA, presidenti po u jep atyre një përjashtim për një muaj në mënyrë që ata të mos jenë në një pozicion ekonomik të pafavorshëm”-shtoi ajo. Kanadaja gjatë ditës së djeshme ka vendosur tarifë prej 25 për qind për të gjitha produktet amerikane.
Politikat pro tarifave të administratës së re të Donald Trump pritet të kenë ndikime të gjera në industrinë lokale të makinave. Sipas të dhënave të reja, ato mund të godasin pothuajse 20% të të gjitha makinave të reja të shitura në të gjithë SHBA-në. Disa prodhues makinash do të goditen më shumë se të tjerët, duke përfshirë Volkswagen, Stellantis dhe Nissan. Nga 16.1 milionë automjete të lehta të shitura në Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar, 9.86 milionë prej tyre, ose 61%, janë prodhuar në Shtetet e Bashkuara dhe do të shmangin tarifat e reja 10% dhe tarifat e propozuara prej 25% për Meksikën dhe Kanadanë, të cilat së fundmi u ndaluan për 30 ditë.